AKTUALITET, 12 September 2026, 22:48

Tritoli në banesën e mësuesit në Shkodër/ Policia: Vetëm dëme materiale, vijon puna për kapjen e autorëve

Një sasi me lënde plasëse është hedhur mbrëmjen e sotme në oborrin e një banese në lagjen “Qemal Stafa”, në Shkodër, në qendër të qytetit, pranë Bashkisë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, ndërsa banesa është në pronësi të 60-vjeçarit Metin Bushati, i cili është mësues.

Sipas Policisë, lënda plasëse është hedhur nga persona ende të paidentifikuar në oborrin e banesës. Nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Si pasojë e shpërthimit janë thyer edhe xhamat e disa pallateve që ndodhen pranë vendit të ngjarjes.

Dyshohet se motivet e ngjarjes mund të lidhen me vëllanë e 60-vjeçarit, Gezim Bushati, dhe veprimtarinë e tij në Gjermani. Ky është një pistë që po hetohet nga autoritetet.

Pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të shpërthimit.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar, si dhe për përcaktimin e plotë të motivit të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë

“Shkodër / Informacion paraprak. Rreth orës 21:30, në lagjen ‘Qemal Stafa’, Shkodër, në oborrin e banesës së shtetasit M. B., rreth 60 vjeç, nga persona ende të paidentifikuar është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.”