AKTUALITET, 12 September 2026, 20:21

Arratisja e bujshme nga spitali në Greqi, publikohet fotoja e Gentian Çipit

Është publikuar fotoja e shqiptarit Gentian Çipi, i cili u arratis në mënyrë spektakolare nga Spitali i Serres në Greqi.

Pak pas orës 23:00, i burgosuri 40-vjeçar deklaroi se nuk ndihej mirë dhe u transferua në Spitalin e Serres për t’iu nënshtruar analizave.

Atje, sipas informacioneve, e prisnin bashkëpunëtorët e tij, të cilët ishin veshur si oficerë policie. Ata madje po drejtonin një makinë bujqësore me dritë, në mënyrë që të dukej si një automjet i OPKE-së.

Transferimi i 40-vjeçarit u krye nga rojet e burgut, nga rojet e jashtme të burgut, pasi, sipas burimeve policore, nuk ishte kërkuar ndihmë nga Policia Helenike.

Autorët arritën t’i sekuestronin armën njërit prej rojeve dhe më pas morën me vete edhe 40-vjeçarin, duke u larguar nga spitali. Autoritetet greke kanë gjetur një nga dy automjetet që dyshohet se janë përdorur gjatë arratisjes.

Makina u gjet pak larg spitalit, ku ndodhi incidenti, e përplasur në një rrugë. Brenda saj u gjetën një kallashnikov dhe fishekë, shkruajnë mediat greke.

41-vjeçari nga Korça rezulton të jetë person me precedentë të rëndë penalë në Shqipëri dhe Greqi.

Konkretisht, ai rezulton i dënuar në Shqipëri në korrik 2024 me 2 vjet burgim për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, të kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.

Fillimisht, ai ishte hetuar me masën “Arrest në burg”, por më pas Gjykata e kishte zbutur masën në “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Garancia pasurore”.

Ai është akuzuar për djegien e një automjeti më 24.04.2023, në lagjen 13, në rrugën “Loni Grazhdani” në Korçë.

Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia procedoi Gentian Çipin pasi gjeti kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme pranë banesës së tij.

Më 3 shtator 2024, Gentian Çipi hapi zjarr në Pylaia të Selanikut, duke tentuar të vriste një 25-vjeçar grek jashtë një kantine. Greku u plagos me tre plumba, por arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa Çipi arriti të arratisej.

Policia greke arriti ta identifikonte Çipin dhe organizoi një operacion për kapjen e tij në shtator 2025. Gjatë operacionit u arrestuan edhe Enea Basholli, 31 vjeç, dhe Kleo Topa, 24 vjeç, të dy edhe këta nga Korça.

Sipas policisë greke, Gentian Çipi rezulton të jetë kreu i një grupi kriminal që kryen trafik droge dhe veprime të dhunshme.

Gjatë operacionit për kapjen e tyre në Selanik, Çipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrit të policisë, por shtuan shpejtësinë e mjetit me të cilin lëviznin dhe kryen manovra të rrezikshme, duke përplasur një automjet policie.

Ata braktisën mjetin dhe u larguan në këmbë, por u kapën më pas.

Pak orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, u vu në pranga edhe Enea Basholli.

Gjatë kontrolleve të policisë greke, u gjetën dhe u sekuestruan një kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta, një silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, një pasaportë false, një patentë false, 23 mijë e 350 euro, celularë dhe tre automjete.