AKTUALITET, 12 September 2026, 22:20

Balla nga Prishtina: Më 16 shtator, Gjykata Speciale duhet të shpallë pafajësinë e plotë të Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se vendimi që pritet të shpallet më 16 shtator nga Gjykata Speciale në Hagë duhet të jetë pafajësia e plotë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pas marshimit masiv të zhvilluar në Prishtinë në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Balla tha se pjesëmarrja e qytetarëve ishte një mesazh i qartë i popullit të Kosovës.

“Populli i Kosovës foli qartë. Më 16 shtator drejtësia e vetme që mund të bëjë gjykata është pafajësia e plotë e katër komandantëve”, u shpreh Balla.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së e cilësoi procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së si një farsë shumëvjeçare që, sipas tij, duhet të marrë fund. Ai argumentoi se Gjykata Speciale ka dalë përtej mandatit për të cilin është krijuar.

Sipas Ballës, akuzat ndaj UÇK-së përbëjnë një sulm jo vetëm ndaj ish-komandantëve të saj, por edhe ndaj vetë luftës çlirimtare të Kosovës dhe popullit shqiptar.

Ai u referua gjithashtu historikut të akuzave ndaj UÇK-së, duke e lidhur atë me raportin e Dick Marty-t. Balla e konsideroi raportin si produkt të pretendimeve të ngritura fillimisht në Beograd dhe të përdorura më pas kundër Kosovës.

Në vijim, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste bëri thirrje për unitet të shqiptarëve, pavarësisht vendit ku jetojnë, duke theksuar se çështja e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së është një çështje me interes kombëtar.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë për liri dhe çlirim. Nuk mund të barazohen ata që kryen krime në Kosovë me ata që luftuan për çlirimin e vendit. Kjo farsë duhet të marrë fund”, deklaroi Balla.