AKTUALITET, 12 September 2026, 22:03

105 ditë protestë/ Diaspora mbush Bulevardin: Dorëheqje! Ju erdhi fundi

Protesta kundër qeverisë ka vijuar sot në Tiranë, në ditën e 105-të, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve dhe emigrantëve të ardhur nga diaspora.

Protestuesit u nisën nga sheshi “Skënderbej” dhe marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë tubimit u përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit artikuluan edhe kërkesa për përshkallëzimin e qëndrimit të tyre.

Në shesh u dëgjuan thirrje si “Shqipëria e shqiptarëve”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa protestuesit kërkuan gjithashtu që kryeministri të përballet me drejtësinë. Në disa prej thirrjeve u përdor edhe termi “narkoshtet”, duke kërkuar që kjo situatë të marrë fund.

Një nga elementet kryesore të protestës së sotme ishte pjesëmarrja e diasporës, me emigrantë që udhëtuan drejt Tiranës për t’iu bashkuar tubimit.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, gjatë fjalës së saj, përshëndeti pjesëmarrjen e diasporës dhe tha se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit i janë bashkuar protestuesve në Shqipëri me kërkesën për largimin e kryeministrit.

“Diaspora është me ne. Ky shesh i ka bërë të gjithë shqiptarët, ata që jetojnë këtu dhe ata që janë detyruar të largohen nga klasa politike 36-vjeçare. Më në fund shqiptarët ia dalin të bashkuar dhe se më në fund këtu vendosim ne. Diaspora ka ardhur në mbështetje tonën për t’i kërkuar Edi Ramës dorëheqje”, tha Vatnikaj.

Një emigrant i ardhur nga Gjermania iu drejtua gjatë fjalës së tij institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësive diplomatike në Tiranë. Ai ngriti pyetje për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, duke kërkuar reagim ndaj asaj që ai e cilësoi si shkelje të ligjit.

“Kam një pyetje për gjyqtarët e GJK, të Lartë. Ku janë? A nuk po cenohet ligji?”, tha ai.

Emigranti kërkoi gjithashtu reagim nga ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike, ndërsa iu drejtua posaçërisht Bashkimit Europian.

“Ambasadës së BE i them mos luani me dashurinë që kanë shqiptarët për BE. BE është shpresa jonë, dhe ata nuk duhet të na zhgënjejnë”, u shpreh ai.

Në vijim, ai iu drejtua edhe socialistëve, duke argumentuar se ndryshimi, sipas tij, mund të vijë përmes votës dhe jo dhunës.

“Nuk duam revolucion me dhunë, por me votë. Revolucioni më të mirë mund ta bëjnë socialistët duke i hequr votat Edi Ramës”, tha protestuesi.

Një tjetër emigrante, e ardhur nga Italia, e cilësoi Edi Ramën si “kriminel” dhe u bëri thirrje qytetarëve që, sipas saj, të mos lejojnë që të shiten tokat apo të “plaçkitet” vendi.

Duke iu referuar pjesëmarrjes në protestë, ajo tha:

“Na kanë thënë se jemi popull delesh, por këto sot shoh luanë dhe luanesha. Shpresa erdhi. Na ngjallët shpresën dhe ne që jemi larg. Jemi këtu për ju.”

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen dhe të qëndrojnë të bashkuar.

“Mos u dorëzoni. Mos e lini kriminelin të na shesë tokat. Mos e lejoni të na përçajë. Do të vijmë si uragan siç kemi ardhur gjithmonë. Do të bëjmë histori të gjithë bashkë”, tha ajo.

Në fund të fjalës së saj, emigrantja iu drejtua edhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke e pyetur: “Zonja Meloni, je akoma e sigurt që vëllai yt (Rama) është djalë i mirë?”

Një tjetër qytetar i ardhur nga diaspora bëri thirrje për mosbindje civile dhe kërkoi që protestuesit të bashkohen për bllokimin e rrugëve.

“Ne si diasporë kemi vendosur për mosbindje civile, të bllokojmë të gjitha rrugët. Të gjithë të bashkohemi. Mosbindje civile”, tha ai.

Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë rezistencën dhe tubimet, ndërsa një pjesë e tyre kanë kërkuar përshkallëzim përmes mosbindjes civile. 

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën të rrethojnë godinën e Kryeministrisë. Disa prej emigrantëve që morën fjalën kërkuan që qytetarët të qëndrojnë përpara Kryeministrisë, ndërsa të tjerë folën për bllokimin e rrugëve si pjesë e mosbindjes civile.

Kërkesa e përsëritur gjatë fjalimeve ishte largimi i Edi Ramës dhe qeverisë. Përfaqësues të diasporës dhe qytetarë që morën fjalën thanë se do të vijojnë qëndrimin e tyre dhe bënë thirrje për bashkim. “Do qëndrojmë aty për shqiptarinë”, tha një prej protestuesve.