AKTUALITET, 12 September 2026, 21:16

Reforma territoriale/ Deputeti socialist kundër bashkimit të Selenicës me Vlorën: Bashkia nuk mbulon dot njësitë administrative

Deputeti socialist i Selenicës dhe Lumit të Vlorës, Vullnet Sinaj, ka dalë kundër reformës territoriale gjatë mbledhjes së organizuar nga kryeministri Edi Rama, ku po diskutohet riorganizimi i njësive të qeverisjes vendore.

Sinaj argumentoi se Bashkia Vlorë nuk ka arritur të menaxhojë dhe të mbulojë siç duhet nevojat e njësive administrative që ka aktualisht. Sipas tij, bashkimi i Bashkisë Selenicë me Bashkinë Vlorë do të krijonte një tjetër problem për komunitetet e zonës.

“Bashkia Vlorë nuk mbulon dot njësitë administrative, jo më të mbulojë Bashkinë Selenicë”, u shpreh Sinaj.

Deputeti solli si shembuj mungesën e investimeve dhe problematikat me mirëmbajtjen e infrastrukturës në disa prej njësive administrative që janë aktualisht pjesë e Bashkisë Vlorë.

Sipas Sinajt, Njësia Administrative Novoselë nuk ka pastruar kanalet, ndërsa në Njësinë Administrative Qendër nuk janë shtruar rrugë.

“Asnjë njësi administrative nuk ka bërë investime për zonën. Njësia Novoselë s’ka pastruar asnjë kanal, ndërsa Njësia Qendër nuk ka shtruar rrugë”, deklaroi ai.

Duke iu referuar këtyre problematikave, Sinaj kundërshtoi bashkimin e Selenicës me Vlorën, duke kërkuar që Bashkia Selenicë të vijojë të funksionojë si një bashki më vete.

Sipas tij, përpara se të ndërmerren ndryshime të reja në organizimin territorial, duhet të merret në konsideratë mënyra se si bashkitë aktuale po përmbushin nevojat e komuniteteve që administrojnë.