BOTA, 29 September 2026, 19:48

Spanja miraton masa të reja për krizën e strehimit, ndalohen dëbimet deri në vitin 2030

Spanja miraton masa të reja për krizën e strehimit, ndalohen

Qeveria e koalicionit në Spanjë ka miratuar një paketë të re masash për krizën e strehimit, pas protestave të zhvilluara në disa qytete të vendit dhe debatit të nxitur nga dëbimi i një 87-vjeçareje nga banesa e saj në Madrid.

Masat, të miratuara të martën përmes dy dekreteve, parashikojnë ndër të tjera ndalimin e dëbimeve deri në vitin 2030, zgjatjen e kontratave të qirasë deri në vitin 2028, kontrolle më të rrepta për qiratë afatshkurtra dhe dhomat, si dhe kufizime për blerjen e banesave nga kompanitë e investimeve.

Ministrja e Shëndetësisë, Mónica García, tha se paketa do të ofrojë lehtësim për më shumë se pesë milionë persona. Ajo deklaroi se qeveria synon të ndërhyjë në tregun e strehimit për të vendosur një ekuilibër më të madh mes qytetarëve dhe fondeve të mëdha të investimeve.

Dekretet kanë hyrë në fuqi menjëherë, por duhet të miratohen nga Kongresi brenda 30 ditësh. Qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez nuk disponon shumicën parlamentare dhe për miratimin e masave do të ketë nevojë për mbështetjen e partive të tjera.

Partia nacionaliste katalanase Junts ka shprehur rezerva, veçanërisht për ndalimin e dëbimeve. Zëdhënësja e saj, Míriam Nogueras, tha se ishte e nevojshme të bëhej dallimi mes fondeve të mëdha të investimeve dhe pronarëve të vegjël që kanë investuar kursimet e tyre në një banesë apo pronë tjetër.

Sipas Bankës së Spanjës, vendi përballet me një mungesë prej rreth 700 mijë banesash, bazuar në diferencën mes kërkesës dhe ndërtimeve të reja.

Të dhënat e institutit kombëtar të statistikave INE tregojnë se çmimet e banesave u rritën me 12.2% në vitin deri në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Ndërkohë, sipas të dhënave të kompanisë së pasurive të paluajtshme Idealista, kostot e qirave u rritën me 8.5% gjatë vitit 2025. Madridi dhe Barcelona vijojnë të jenë ndër qytetet më të shtrenjta për qira, me rreth 22.70 dhe 23.80 euro për metër katror.