TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një gazetar i televizionit publik të Ugandës, Edward Rukidi Kitzyananjoma, u shpall sot kreu i mbretërisë tradicionale të Toros, duke pasuar kushëririn e tij të ndjerë, Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV, i cili dikur konsiderohej monarku më i ri në botë.
Toro është një nga katër mbretëritë më të mëdha tradicionale që u bashkuan në fund të shekullit XIX, duke formuar protektoratin britanik të Ugandës. Ato u shpërbënë në vitin 1967, por në fillim të viteve ’90 u rikthyen nga presidenti Museveni.
Sot, Kushtetuta e vendit e kufizon pushtetin e tyre në çështje tradicionale dhe kulturore, por mbretërit konsiderohen figura me ndikim të rëndësishëm në komunitetet e tyre.
Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV vdiq në fund të gushtit në SHBA, në moshën vetëm 34-vjeçare, nga kanceri. Ai ishte kurorëzuar mbret në moshën 3-vjeçare, pas vdekjes së babait të tij. Sipas Librit të Rekordeve Guinness, ai ishte mbreti më i ri në detyrë në botë.
U krijua një komision i posaçëm për të përcaktuar pasardhësin dhe ai zgjodhi princin Edward Rukidi Kitzyananjoma Nyabongo II, prezantuesin 56-vjeçar të lajmeve dhe kushëririn e Rukidi IV. Të dy ishin nipër të të ndjerit Omukama (“mbreti”) George David Rukidi III.
Mbretëresha nënë Best Kemigisa e kundërshtoi zgjedhjen, gjë që shkaktoi një konflikt të shkurtër, por të ashpër, për trashëgiminë e fronit.
Megjithatë, mbretërimi i Edward Rukidi Kitzyananjoma Nyabongo II filloi në mesnatën e së hënës duke gdhirë e marta, kur ai mori, pas një beteje simbolike, pallatin mbretëror në Fort Portal, duke shënuar edhe fillimin e një feste tradicionale që zgjat 24 orë.
Më herët, ai kishte therur një dem dhe kishte derdhur gjakun e një pule në Fort Portal, kryeqytetin e Toros. Për të mbërritur në pallat, ai përshkoi në këmbë më shumë se 4 kilometra.
Mbretëresha nënë dhe vajza e saj, princesha Ruth Komuntale, pretendonin se mbreti i ndjerë kishte lënë pas një trashëgimtar, për të cilin dinte vetëm rrethi i ngushtë familjar. Ato paraqitën një testament që përcaktonte si pasardhës “djalin biologjik” të tij.
Megjithatë, komisioni për zgjedhjen e monarkut shpjegoi se ky fëmijë nuk ishte paraqitur kurrë para një grupi prej 21 pleqsh dhe nuk i ishte nënshtruar ceremonive tradicionale të njohjes, siç ndodh me të gjithë pasardhësit mbretërorë, sipas zakoneve të mbretërisë.
Për t’u konsideruar një pasardhës i mundshëm, një fëmijë duhet gjithashtu të edukohet dhe të përgatitet në mënyrën e duhur për udhëheqjen e ardhshme, tha komisioni, duke justifikuar vendimin për të përjashtuar nga froni personin e konsideruar si djali i Rukidi IV.
Mbreti duhet të vijë nga fisi Babiito dhe të jetë pjesë e familjes së gjerë të George David Rukidi III.
Emri Kitzyananjoma tregon prejardhjen e tij mbretërore, vëren BBC. Ai lindi në vitin 1970 në një fshat që ndodhet rreth 300 kilometra nga kryeqyteti Kampala. U diplomua në një universitet të Kampalës me një diplomë në Komunikim Masiv në vitin 1999. Ai punoi për më shumë se 20 vjet në mediat.