TEJ E KETEJ, 1 Nëntor 2024, 19:35

E çmendura N. e kryeqytetit zbarkon në Tv Klan dhe i kërkon ndihmë Fevziut për pensionin

E çmendura N. e kryeqytetit zbarkon në Tv Klan dhe i kërkon

E çmendura N. e kryeqytetit, sapo u zgjua, u nis me vrap drejt televizionit Klan, për të takuar kryesisht Blendi Fevziun. Pas një përplasje jo të vogël me rojet e sigurisë, e çmendura mbërriti më në fund në zyrën e Fevzos. 

- Kam ardhur të të takoj, o njeri i mirë, o njeri i drejtë! Kam ardhur të të qaj hallin për pensionin tim të qelbur, që nuk e hanë as qentë, po t'jua hedhësh.
Sa pashë dje, që ti Fevzi i more zonjat e publikut dhe i dole përballë vetë Edi Ramës, për të luftuar për pensionet e tyre, unë mendova, ja doli një njeri i mirë, një njeri i drejtë, të flasë edhe për ne pensionistët.

- Zonjë e çmendur, faleminderit që më ke ndjekur mua dhe emisionin Opinion, se të enjteve ka shumë banaqe, por unë nuk të ndihmoj dot. Vetë kryeministri e shpjegoi me tabela mbrëmë, që nuk ka kokërr leku. Të bjerë miu në buxhet, bëhet copa copa! Ç’të të bëj unë?! Ato zonjat që pe ti, ishin pjesë e debatit. Si të thuash, ishin për ilustrim.

- Po mirë o njeri i mirë, o njeri gjithmonë i drejtë, pse nuk i thua njëherë të gjatit për pensionin tim? Unë jam me pension 140 mijë lekë dhe 150 mijë më bëjnë vetëm ilaçet e çmendurisë. Prandaj nuk i marr fare ilaçet dhe ja shikoje gjendjen time.

- Nuk ta ka fajin kryeministri moj grua. Ti nuk ke kontribute. Ku ke punuar ti? A ke paguar siguracion?

- Unë kam punuar gjithë jetën o njeri edhe i mirë edhe i drejtë, por lekët i kam marrë nën dorë. 

- Epo ty ta paska bërë të keqen pronari. Ja më shiko mua, mi paguan Sandri siguracionet sa qimet e kokës. Dhe pensioni im do të jetë faraonik, sepse unë o grua e çmendur nuk e kam gënjyer kurrë shtetin! Kupton?

- Po mirë sa e ke rrogën ti zoti Fevziu, që paguan kaq sigurime?

- Unë kam disa burime dhe disa rroga, por këtu nuk është puna te rroga ime. Këtu është çështje parimi. Në këtë sistem, vlerë ka parimi. Pastaj ç’punë ke ti me rrogën time? Kjo pyetje nuk bëhet, se jeni mësuar keq ju…

Ndërkohë që Fevziu filloi të acarohet me të çmendurën, në korridor kaloi papritur Sandri, që i bën shenjë, njërës prej grave të stafit, për t’u afruar.

- Kush ka ardhur këtu dhe pse është nxehur Fevzo?! – pyeti Sandri.

- Është një zonjë pensioniste, ka ardhur të kërkojë ndihmën e Fevziut sepse ka parë emisionin mbrëmë, - ia ktheu gruaja e stafit.

- Ç’na çan bythën me gjithë pensioniste, ma ka mbushur televizionin me halle. Ne kemi hallet tona. Pak halle kemi ne po të dëgjojmë edhe pensionistët? Është mbushur Shqipëria me pensionistë, u mbush edhe Klani tani. 

E çmendura, që nuk kuptoi gjë nga e folura e Sandrit jashtë zyrës, vazhdoi bisedën me Fevzon.

- Po mirë o njeri i drejtë, o njeri i mirë, po sikur të më ndihmosh ti mua personalisht? Të quhet që Fevziu ndihmoi një zonjë të çmendur pensioniste dhe ti pastaj më nxirr te pjesa e tretë e emisionit. Unë të jap fjalën që do e tregoj të gjithë hallin tim dhe se si në fund më erdhi nga lart shpëtimi nga vetë njeriu i mirë Blendi Fevziu dhe nga emisioni Opinion.

- Unë e çmendur nuk kam fonde. Mezi paguaj biletat business class, se udhëtimet e mia janë shumë të largëta. E ka thënë edhe Edi Rama që në udhëtime të largëta lejohet business class-i.

- Vëre dorën në zemër o njeri i mirë, nuk është se më duhen shumë para…

- Unë o e çmendur, nuk e prish kështu paranë. Siç thonë anglezët, ruaje pencin, se paundi ruan veten. Është filozofi që do kohë të gjatë për t’u shpjeguar dhe unë nuk kam kohë. Provo njëherë aty te Ardit Gjebrea, se aty ka fonde reklame dhe fonde alternative. Edhe vetë Sandrit mund t'i dilje përpara dhe ti kërkoje ndihmë. 

-Ç'është ky Sandri? 

-Është më i madhi ynë. Po të dojë ai, të lan në flori dhe nuk duket fare që je edhe e çmendur. 

- Epo mirë shyqyr. Se më fole kot për Arditin. Ku ka fonde ai, o moderator i drejtë? Po ai i shkretë vetëm nxjerr dhe ha banane në emision. Ç’ti dua bananet unë?

- Janë banane të arta ato o e çmendur, por ti nuk ke faj se nuk i di këto gjëra. Po të kishe ato banane, nuk do ishe kjo që je. Janë Banane King... Janë banane sekrete që nuk duhet t’i marrë vesh as SPAK-u. Unë nuk tregoj se nuk jam spiun.
Por ti shko njëherë te Arlind Qori se ai merret me pensionistët...

- Uaaaaaa, Arlind Qori thotë. Po ku ka lekë Arlind Qori?! Ata janë pabuksa, nuk i ke parë? Gjithë partia lëviz me autobus. Ata janë për ti qarë hallin për vete. Pastaj ata thonë hajde në protestë. Po ku i dilet me të gjatin me protesta… Të lodhem kot? Prandaj unë kam ardhur te vendi i parasë, vendi i oligarkisë. Po nuk më ndihmove dot vetë, o njeri i mirë, o gazetar aristokrat, a ke ndonjë shok oligark?

- Ata japin vetëm klering o e çmendur dhe ty nuk të hyn në punë kleringu. Ka edhe nga ata që nuk japin për të varfërit, se thonë se ju ecën ters gjithë viti. Japin vetëm për të pasurit. Janë njerëz të vështirë, nuk ndërhyj dot! Tani largohu dhe mos i thuaj njeriu që erdhe këtu, se vijnë edhe të tjerë dhe mërzitet Sandri, ngarkohet televizioni me më shumë halle seç ka. 

- Mirë o njeri i drejtë, mirë o gazetar, mirë o aristokrat...