TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në kohën që varianti Omicron, ka mbërthyer pjesën dërrmuese të shqiptarëve, nga më të vegjëlit, deri tek tej të rriturit e moshës së avokat Ngjelës, është pikërisht ky njeri i shumëditur, që lajmëron se Dritan Abazoviçi, e ka të sigurtë postin e kryeministrit të Malit të Zi.
Duke dhënë këtë deklaratë, në formë sihariqi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit dhe i FBI-së bashkë, për Ballkanin Perëndimor, zotni Spartak Ngjela, konfirmon se kjo është njëqind përqind, një lëvizje e politikës amerikane.
“Duhet të kuptojmë, se e vetmja forcë real-perëndimore në Mal të Zi, janë shqiptarët.
Trevat e Malit të zi, janë në fakt Malësia Katolike e Arbërisë. Sot erdhi koha, që shqiptarët të krijojnë qeverinë drejtuese të Arbërisë Veriore, që quhet Malci; dhe që serbët e kthyen dhe e quajtën me emrin Mal i Zi”, shkruan ndër të tjera, avokati ynë mendjehollë dhe mendjendritur.
Në fund të statusit, avokati i ditur thotë: “E gjithë kjo kohë po vjen; ngaqë shqiptarizmi do të dominojë patjetër Ballkanin Perëndimor, se kjo ka qenë dhe mbetet të jetë një e vërtetë historike”.
PS. Për t’u qartësuar edhe më shumë, në thellësi, gjatësi, apo edhe gjerësi, lexojeni të plotë analizën gjeo-politike, gjeo-strategjike dhe gjeo-historike, të avokatit më të ditur, që ka pjellë Ballkani Perëndimor!
SPARTAK NGJELA
"Shqiptari Dritan Abazoviç ka krijuar shumicën për të qenë kryeministër i Malit të Zi.
Kjo pritej, por në këtë rast po na jep shenjën e parë për eskalimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
Është në lëvizje politika amerikane. Por duhet të kuptojmë se e vetmja forcë real-prëmdimore në Mal të Zi, janë shqiptarët.
Trevat e Malit të Zi janë në fakt Malcia katolike e Arbërisë. Dhe sot erdhi koha që shqiptarët të krijojnë qeverinë drejtuese të Arbërisë Veriore që quhej Malci; dhe që serbët e kthyen dhe e quajtën me emrin Mal i Zi.
Gjithsesi, ky është një sukses i radhës drejt zhvillimit të vijueshëm të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Dhe, ky sukses, do të ecë drejt aspektesh të tjera të rritjes se ngjarjeve kombëtare, jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, në këtë trevë gjerësisht shqiptare: sepse ngjarje të tjera të karakterit kombëtar do të vijojnë dhe po vijojnë edhe në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë Maqedonia e Veriut është e çliruar nga shtypja historike kundër etnisë shqiptare; dhe po shkon drejt konstatimit historik që shqiptatrët janë aty shumicë absolute.
E gjithë kjo kohë po vjen; ngaqë shqiptarizmi do ta dominojë patjetër Ballkanin Perëndimor, se kjo ka qenë dhe mbetet të jetë një e vërtetë historike".