BOTA, 12 October 2026, 20:28

Armëpushimi energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, Zelensky: Moska e shkeli marrëveshjen, goditi 6 objekte të kësaj infrastrukture

Armëpushimi energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, Zelensky: Moska e

Rusia ka goditur gjashtë objekte energjetike në Ukrainë, disa orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Moska dhe Kievi kishin rënë dakord për një armëpushim në sektorin energjetik. Lajmi u bë i ditur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pavarësisht deklaratës së Trump të dielën se armëpushimi do të hynte në fuqi “menjëherë”, Zelensky tha se forcat ruse kishin vijuar sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Ukrainës, Ukrinform, raportoi se në qytetin e Izyumit pati ndërprerje të energjisë elektrike, pasi një sulm rus dëmtoi rrjetet energjetike. Ndërkohë, gjatë natës, në shënjestër të sulmeve u vunë gjithashtu infrastruktura energjetike dhe ajo hekurudhore në Ukrainën perëndimore.

Sipas Zelenskyt, nga sulmet ndaj objekteve energjetike në të gjithë vendin u plagosën 33 persona.

“Ne nuk sulmuam, ndërsa Rusia sulmoi stacionet tona të benzinës, infrastrukturën energjetike dhe objekte të tjera. Mendoj se ishte përgjigjja e Putinit ndaj Presidentit Trump", tha Zelensky.