BOTA, 12 October 2026, 21:47

VIDEO/ Shpërthime të fuqishme në Riad, Arabia Saudite intercepton raketat e lëshuara nga Huthit

VIDEO/ Shpërthime të fuqishme në Riad, Arabia Saudite intercepton

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar mbrëmjen e së hënës në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, pak minuta pasi autoritetet paralajmëruan banorët përmes mesazheve në telefonat celularë për një kërcënim të mundshëm ajror.

“Zona është nën kërcënimin e sulmeve ajrore të armikut. Qëndroni të qetë, qëndroni brenda ose në një zonë të sigurt, larg dyerve dhe dritareve”, thuhej në mesazhin e dërguar banorëve.

Sipas dëshmitarëve të cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, në pjesë të ndryshme të kryeqytetit u dëgjuan të paktën tre shpërthime. Banorët raportuan gjithashtu se kishin parë raketa në qiell.

Disa minuta pas aktivizimit të alarmit, autoritetet njoftuan se rreziku kishte kaluar. Sipas tyre, sistemet saudite të mbrojtjes ajrore kishin interceptuar dhe shkatërruar raketat e lëshuara nga rebelët Huthi të Jemenit në drejtim të Riadit.

Kryeqyteti saudit është përballur ditët e fundit me disa sulme të atribuuara Huthive, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në qytet.

Ndërkohë, ndeshja e Al Nassr në kuadër të Ligës së Kampionëve të Azisë raportohet se është shtyrë.

Deri më tani, nuk ka informacion të konfirmuar mbi vendndodhjen e zjarreve të mundshme, përmasat e dëmeve materiale apo numrin e viktimave nga incidenti.