TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për qëndrimin e përbashkët që do të mbajnë në konferencën e OKB-së për klimën, e cila do të zhvillohet në nëntor në Antalia të Turqisë.
Ministrat e Mjedisit të vendeve anëtare do të kërkojnë përshpejtimin e kalimit drejt energjisë së pastër, në një kohë kur objektivi për kufizimin e ngrohjes globale në 1,5 gradë Celsius rrezikon të tejkalohet këtë vit.
Në përfundim të takimit në Luksemburg, vendet anëtare bënë thirrje për masa urgjente dhe ambicioze kundër ndryshimeve klimatike, si dhe për veprime të shpejta, të mbështetura në të dhënat shkencore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, me synimin për të kufizuar rritjen e temperaturave globale.
Sipas deklaratës së publikuar pas takimit, objektivi mbetet kufizimi i ngrohjes globale në 1,5°C, edhe nëse ky prag tejkalohet përkohësisht.
Qasja e mbështetur nga vendet anëtare parashikon mundësinë e tejkalimit të përkohshëm të këtij kufiri, arritjen e pikës kulmore të temperaturave dhe më pas uljen e tyre.
Ministrat theksuan se duhet të shmanget çdo rritje e mëtejshme e temperaturës, edhe nëse bëhet fjalë për një pjesë të vogël të gradës. Sipas tyre, bota duhet të rikthehet në një trajektore në përputhje me objektivin prej 1,5°C, duke u mbështetur në të dhënat më të mira shkencore.
Ky objektiv u përcaktua nga komuniteti ndërkombëtar në Konferencën e OKB-së për Klimën në Paris, në vitin 2015. Ai synon që temperatura mesatare e sipërfaqes së Tokës të mos rritet me më shumë se 1,5 gradë Celsius krahasuar me nivelet paraindustrializimit, përpara përdorimit në shkallë të gjerë të qymyrit, naftës dhe gazit.
Në konferencën e ardhshme, Bashkimi Evropian synon të përqendrohet te zbatimi konkret i angazhimeve klimatike të marra nga shtetet.
Në këtë kuadër përfshihen edhe kontributet kombëtare për klimën, përmes të cilave secili vend përcakton planet dhe masat për uljen e emetimeve të gazeve që shkaktojnë ngrohjen globale.
Qëndrimi i përbashkët i BE-së përfshin gjithashtu synimin për të hequr gradualisht përdorimin e lëndëve djegëse fosile, si qymyri, nafta dhe gazi natyror.
“Është e rëndësishme që ne, si evropianë, të hyjmë në negociata me një qëndrim të bashkuar”, deklaroi ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider.
Ai theksoi se pjesëmarrësit në konferencë synojnë t'i japin një shtysë të re kalimit nga lëndët djegëse fosile drejt burimeve më të pastra të energjisë, si dhe të nxisin përdorimin e zgjidhjeve të qëndrueshme elektrike.
Sipas Schneider, këto ndryshime janë të nevojshme për të ruajtur objektivin e kufizimit të ngrohjes globale në 1,5°C, ndërsa njëkohësisht mund të krijojnë edhe mundësi të reja ekonomike.