SPORT, 29 Prill 2023, 22:43

Vazhdojnë trazirat në shtëpinë e kampionëve/ Tuhel thyen veglat e punës, lojtarët e tallin

Vazhdojnë trazirat në shtëpinë e kampionëve/ Tuhel

“Kaos” është fraza e duhur në identi fikimin e ngjarjeve të fundit në radhët e Bajernit. Humbja në transfertën karshi Maincit ka nxjerrë në pah probleme të mëdha në ekip, aq sa detyruan Tuhelin t’u jepte tri ditë pushim lojtarëve, situatë e paprecedentë mbi etapat e mëparshme.

Pas rikthimit nga leja e caktuar, futbollistët prezantuan anën më të errët disiplinore, duke bërë që “timonieri” të dalë nga vetja.

“ÇORODITJA”-Ish-trajneri i Dortmundit po përballet me javë të ngarkuara në krye të Bajernit dhe reflektimi në sfidën me Hertën ditën e sotme shikohet më tepër sesa thjesht detyrim. Sipas raportimeve të “Bild”, stërvitja nuk ka shkuar ashtu siç 49-vjeçari do ta dëshironte. Irritimi i teknikut erdhi si rezultat i neglizhencës së yjeve në kryerjen e ushtrimeve, të cilët nga krahu tjetër e kishin marrë me “të butë”.

Gjeneza e burimit në fjalë shkon drejt ekstremitetit në lidhje me veprimet e bavarezëve. Kingsli Koman tallej në mënyrë të vazhdueshme me pjesën tjetër të ekipit dhe nuk ushtrohej sinkron me grupin. Myler, i cili ka shërbyer si shembull në gjirin e rekordmenëve ndër vite, diskutonte me zë të lartë. Dalei Blind u përplas me ndihmësin Lëve.

Pikërisht skenat e mësipërme bënë që trajneri Tuhel t’i rikthehej tempit “të vjetër”, impulsiv. Gjithë mllefin e akumuluar, ai e shkarkoi te një prej sendeve të stërvitjes. “Teatraliteti” bëri bashkë edhe Oliver Kahnin. Shefi i Bajernit është duke “luftuar” për postin dhe lakohet si emri më i mundshëm për t’u larguar nga bordi. 53-vjeçari qëndronte i ulur në tribunën e vogël dhe vështronte i pezmatuar.

Mbetet për t’u parë se çfarë reaksioni do të shkaktojnë këto manovra “amatoreske” në spektrin e disiplinës në “Allianz Arena” krahas Hertës. Kampionëve në fuqi të Bundesligës, përveçse nuk u lejohen hapa fals, gjithashtu duhet të shpresojnë në ndonjë ndalesë nga Dortmundi i Terziçit në 4 javët e mbetura.