TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Tirana e ka të pamundur të këtë vazhdimësi në këtë pikë të sezonit, vijon me ulje ngritje të forta duke bërë që gara për titull të jetë më e hapur se kurrë. Bardheblutë ngecin në transfertë përballë Bylis, nuk shkuan me shumë se një barazim 1-1 duke bërë që rivalët e tyre të “fërkojnë duar”. Në dy përballjet e fundit, Tirana kishte dalë me 6 pikë përballë Bylis, por këtë herë janë mbase me fat që dalin me një pikë.
Ballshiotët ishin superior, mbi të gjitha në pjesën e parë, ku Bekaj edhe një herë bëri heroin për Tiranën duke i mbajtur në lojë në më shumë se një herë. Në pjesën e dytë, Tirana gjeti shpejt rrugën e rrjetës me Regi Lushkjen, por gjyqtari i takimit, me ndihmën e sistemit VAR, ndali gjithçka për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 65-të, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, Eskuerdinjo me një goditje shumë të bukur fluturimthi kaloi Bylis në avantazh. Ekipi i Shehit kaloi në sulm, me shpresën për të shmangur këtë humbje, por goli erdhi vetëm në fund, në minutën e 92-të, ku Damçevski i pafat dërgoi topin në rrjetë duke bërë që dy ekipet të ndajnë nga një pikë pas barazimit 1-1.
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi doli para mediave pas barazimit 1-1 me Bylis.
“Ne do ta shohim me dy tablo. Në pjesën e parë meritonim të merrnim ndonjë gol për mënyrën se si u vendosëm. Pjesa e dytë ishte plotësisht në drejtimin tonë. Na krijonte shumë vështirësi nxjerrja e topit. Morëm një gol nga goditjet standarde. Ushtruam presion nga gjitha mënyrat. Arritëm të shënonim, kishim edhe një rast tjetër. Mendoj që nuk korrespondojnë të dy pjesët me njëra tjetrën.
Goli në momentin më të mirë? Në pjesë të parë mund të ndëshkoheshim. Në pjesë të dytë më vjen keq sepse ishte një goditje standarte. U ndëshkuam dhe ishte gjithçka e vështirë. Skuadra reagon, është gjithmonë prezente aty. Çunat meritojnë komplimente se si reagojnë pas golit. Gjithë pjesa e dytë është ajo që ne duhet të kuptojmë.
Nuk ka arsye të mërzitem, për të qarë këtë që ndodhi. Edhe 10 javë duhet të përmirësohemi. S’duhet të pësojmë gola të lehtë. Patrick s’është më pjesë e skuadrës, ka dëmtim. Shpresojmë që dhe Kristali të vijë në formë të mirë. Ne duhet të luajmë nga poshtë. Nëse s’e bëjmë, do të kemi vështirësi.
Florent Hasani? Është lojtari ynë kryesor. Kishim Xhixhën, por ai u largua. Kristali u dëmtua, por më pas improvizuam me Haxhiun. Florenti po bën mirë. Shpresojmë që të kthehet në formën më të mirë Abazaj. Të shënojë gjithë pjesa përpara e ekipit”, tha ai.
Portieri i Tiranës, Visar Bekaj ka dhënë opinionin e tij për barazimin 1-1 me Bylis.
“Goli? Mendova që e prita, e preka topin, që shkoi në shtyllë dhe më pas në rrjetë. I tillë është futbolli, më vjen shumë keq.
Grumbullimi me kombëtaren e Kosovës? Dëshira ime është që të jap maksimumin me skuadrën kombëtare. Vetëm Zvicra është skuadër më e fortë se ne, ndërsa të gjithë skuadrat e tjera janë të nivelit që mund ti përballojmë. Synojmë vendin e dytë në grup dhe kualifikimin në fazën finale të Europianit.
Hasani është në formë shumë të mirë dhe mendoj që duhet të grumbullohet me skuadrën kombëtare. Te Tirana ka qenë vendimtar këtë sezon, pasi ka ndihmuar shume skuadrën me golat dhe asistet e dhëna.
Të jesh portieri i Tiranës është problem që të shpallesh portieri i javës. Kur luan te Tirana nuk ke shumë punë, por duhet që të jesh i përqendruar gjatë gjithë lojës. Sepse është e vërtetë që nuk ke shumë punë, por duhet të jesh në nivelin e duhur kur kërkohet ndihma jote”, ka thënë Bekaj.