SPORT, 17 Mars 2023, 15:02

Komentet për shortin e Champions League/ Baresi: Napoli është i vështirë, por Milan ka histori! Zanetti: Benfica, e fortë!

Komentet për shortin e Champions League/ Baresi: Napoli është i

Champions League hodhi shortin e fazës çerekfinale, me tetë skuadrat që do të kërkojnë t’i shkojnë deri në fund, me finalen që do të luhet në stadiumin “Ataturk” të Stambollit më 10 qershor.

Pas 17 vitesh, ishin kualifikuar 3 skuadra italiane në fazën çerekfinale dhe kjo e bëri interesante shorti, teksa do të ketë derbi italian, me Milan që do të përballet me Napolin.

Me fat skuadra e Interit, që gjen Benfica-n, pra zikaltrit do të përballen sërish me një skuadër portugeze, teksa më parë eliminuan Porton. Short “ferri” për Bayern Munchen dhe Manchester Cityn, teksa do të ndeshen mes tyre.

Real Madrid gjen sërish një ekip anglez, pasi eliminoi Liverpool, tashmë do të ndeshet me Chelsea. Ndeshjet e para çerekfinale do të luhen më 11 dhe 12 prill, ndërsa të kthimit një javë më pas. Ndërsa ato gjysmëfinale më 9 dhe 10 maj, të kthimit më 16 dhe 17 maj.

ÇIFTET ÇEREKFINALISTE

Real Madrid – Chelsea

Inter  – Benfica

Manchester City – Bayern Munchen

Milan – Napoli

ÇIFTET GJYSMEFINALISTE

Milan/Napoli – Inter /Benfica

Real Madrid/Chelsea – Manchester City/Bayern Munchen

Komentet

Pas hedhjes së shortit të Champions League, kanë dhënë komentet e para drejtuesit e skuadrave çerekfinaliste. Zëvendëspresidenti i nderit i Milanit, Franco Baresi, vlerësoi rivalin.

“Napoli është një kundërshtar shumë i vështirë, po kalon një vit të jashtëzakonshëm. Ata po luajnë shumë mirë, do të jenë ndeshje të hapura në të cilat do të kemi për të ngritur nivelin dhe për të bërë paraqitje të shkëlqyera. Për të vazhduar do të duhet më shumë. Megjithatë, Milani ka një histori dhe ne do të luftojmë deri në fund” – u shpreh Baresi.

Ndërsa Javier Zanetti, zëvendëspresident i Interit, nuk nënvlerësoi aspak Benfica-n. “Është gjithmonë e vështirë për t’u përballur me Benfica-n, po konfirmon në Champions League atë që bën në kampionatin portugez. Kundërshtari ka cilësi ekipore, por ne e dimë forcën tonë. Do të duhet përqendrim dhe forcë e madhe mendore, Simone Inzaghi dhe djemtë do ta përgatisin në mënyrën më të mirë të mundshme” – theksoi Zanneti.

Dueli më i fortë i çerekfinaleve të Champions League është ai mes Manchester Cityt dhe Bayern Munchen. Drejtorin sportiv i bavarezëve Hasan Salihamixhiç, e quajti magjepëse këtë përballje.

“Më pëlqen të luaj kundër skuadrave të mira. Lojtarët tanë janë shumë të përqendruar. Është një ndeshje e nivelit të lartë. Janë një kundërshtar i vështirë, më i forti për mendimin tim. Është një tjetër finale, pas Parisit. Do të shohim përsëri Pep Guardiolën. Mezi pres të jem atje” – pohoi ndër të tjera Salihamidzic.