SPORT, 10 Shtator 2023, 19:10

Tifozët ndezin kryeqytetin para “betejës” me Poloninë (VIDEO)

Tifozët ndezin kryeqytetin para “betejës” me Poloninë

Shqipëria do të sfidojë Poloninë në “Air Albania”, në orën 20.45. Edhe pse për fillimin e takimit nevojiten më shumë se 2 orë, tifozët e Kombëtarës kanë filluar të grumbullohen. Ndërkohë që Policia po vëzhgon situatën me kujdes dhe është e pranishme në vendet ku ka grumbuj tifozësh. Situata paraqitet e qetë dhe pa probleme, të paktën deri në këto momente që po flasim.

Në vijim, numri i tifozëve në rrugët e kryeqytetit pritet të rritet dhe normalisht, forcat e sigurisë do shtohen. Atmosfera është mjaft e mirë dhe për sfidën në stadium priten pothuajse 22 mijë tifozë. Takimi Shqipëri-Poloni vlen për kualifikueset e Euro 2024.

Tifozë nga të gjithë trevat shqiptare janë në mbështetje të Kombëtares. Siç shihet në video, “Plisat” e Prishtinës nuk do mungojnë në “Air Albania” dhe do të ndjekin sfidën nga afër.

“Plisat” janë parë gjatë ditës së sotme në kryeqytet, teksa kanë krijuar një atmosferë të kënaqshme. “Rrugës sypatrembur, Plisat po ecin”, – është një pjesë e këngëve të lojtarit të 12-të. Me flamuj, këngë, valle dhe hare, sonte Tirana duket edhe më e bukur kuqezi.