SPORT, 27 Nëntor 2024, 14:27

Javier Mascherano fiton garën me Sylvinhon, prezantohet zyrtarisht te Inter Miami

Javier Mascherano fiton garën me Sylvinhon, prezantohet zyrtarisht te Inter

Inter Miami njoftoi se ka emëruar legjendën e Argjentinës dhe FC Barcelonës, Javier Mascherano si trajner kryesor, duke e nënshkruar me të një kontratë deri në sezonin 2027 në MLS.

Mascherano do të pasojë në stol një emër të njohur si Tata Martino, që u largua pak ditë më parë. 40-vjeçari do të gjejë ish-shokët e skuadrës te Barcelona, si Leo Messi, Jordi Alba, Sergi Busquets dhe Luis Suarez, të cilët tashmë janë pjesë e Inter Miami.

Argjentinasi bashkohet pas një periudhe si trajner i Kombëtares U-20 dhe Olimpike të Argjentinës dhe do të marrë përgjegjësitë e trajnerit në Inter Miami pas marrjes së dokumentacionit të punës. Mascherano filloi trajningun kur u emërua trajner i Kombëtares U-20 të Argjentinës në dhjetor 2021, pas një karriere të shkëlqyer si lojtar.

Me të rinjtë e Argjentinës, ai ishte trajner në disa turne të mëdhenj ndërkombëtarë, duke përfshirë Lojërat Olimpike 2024. Gjatë karrierës, ish-mbrojtësi dhe mesfushori luajti për klube si Liverpool dhe Barcelona, ku fitoi të gjithë trofetë e mundshëm. Mes emrave që Inter Miami kishte në listë për postin e trajnerit ishin edhe ata të Sylvinhos dhe Xavit.