TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Që kur nisi Liga e Kampioneve në shtator të vit të kaluar kanë kaluar dhjetë muaj për të mbërritur në finalen e madhe të Stambollit.
Pas dhjetë muajsh duke luftuar në turet eliminatore, “play off”-e, fazën në grupe dhe fazën e eliminimeve direkte, kompeticioni më i rëndësishëm në nivel klubesh në Europë ka mbërritur në stacionin e fundit. Dhe siç e kërkon rregullorja, në fund kanë mbërritur dy skuadrat që kanë ditur të tregohen më të aftat, kanë pasur fatin mes tyre, Mançester Siti dhe Interi.
Ndoshta për shumë persona në Angli dhe në Europë nuk është ndonjë surprizë që njëri nga finalistët është Mançester Siti, që vetëm pak ditë më parë fitoi për të tretin sezon radhazi Premier Ligën. Skuadra e Pep Guardiolës është në prag të një triplete trofesh historikë dhe ka vetëm një pengesë tjetër në rrugën e saj drejt lavdisë. Ajo pengesë quhet Inter i Milanos. Një skuadër në letër më e leftë për “qytetarët”, por që në historinë e vet e di më mirë se si fitohet një Champions.
Aq më shumë që Guardiola ka kujtime të hidhura përballë Interit. Mjafton t’i kthehemi historisë jo shumë të largët. Ishte viti 2010 kur asokohe Pep Guardiola ishte nën drejtimin e Barcelonës, që ndonëse favorite absolute eliminohej nga Interi i Zhoze Murinjos. Që nga ajo mbrëmje famëkeqe për Barçën në “Camp Nou” kanë kaluar 13 vjet. Pikërisht 13 vjet më parë Interi nuk i jepte kënaqësinë Pep Guardiolës që të bëhej i madh. Dhe nëse Siti është në kërkim të trofeut të parë në Ligën e Kampioneve, Interi nga ana vet kërkon trofeun e katërt. Për këtë arsye ka qenë tabloidi britanik “The Sun” që i ka bërë një analizë taktike përballjes së sotme, duke treguar se ku mund të fitohet apo humbet kjo finale e madhe.
PRESINGU I LARTË I INTERIT Mendimet janë të shumta e të ndryshme, por pjesa më e madhe e analistëve bien dakord që vendimi më i rëndësishëm i Simone Inzagit në përballjen e sotme do të jetë nëse do të vendosë të bëjë presing lart, duke mos i lënë frymëmarrje Sitit apo do të pozicionohet në mbrojtje duke pritur. Një gjë është e qartë, kampionët e Anglisë parapëlqejnë që ta nisin aksionin nga prapavija e tyre duke e ftuar kundërshtarin që të dalë me presing, duke krijuar boshllëqe që shfrytëzohen më pas nga mesfusha e “qytetarëve”.
Pep Guardiola dëshiron ta fusë kundërshtarin në grackë, duke e ftuar dhe më pas ta godasë në kundërsulm apo me vertikalizime të shpejta. Disa nga klubet kanë ditur t’ia dalin përballë taktikës-kurth të Pepit. Por, këtu po flasim për kundërshtarë të fuqishëm në çdo drejtim, si Mançester Junajtidi, Arsenali e Liverpuli. Në rastet e tjera, kundërshtarë në letër më të dobët gjithnjë kanë zgjedhur taktikën në pritje, duke u mbyllur me forca të shumta në mbrojtje, duke i lënë Mançester Sitit fushë të lirë veprimi. Dhe për më shumë duke mos e vënë në asnjë mënyrë në presion apo në vështirësi mbrojtjen e “qytetarëve”. Duke pasur parasysh aftësitë e shkëlqyera të Sitit për ta ndërtuar aksionin nga prapavija, do të jetë interesante të shihet nëse Inzagi do të vendosë të ushtrojë presingun e lartë në formën tipike 3-5-2 të Interit ose të tërhiqet përsëri në një bllok kompakt në mbrojtje me 5-3- 2.
Nëse italianët do të zgjedhin taktikën për t’u rreshtuar me forca të shumta në mbrojtje, ata do të vendosin të luajnë në markim një kundër një me një skemë të 3-5-2 përputhet mjaft mirë me 4-3-3 në këtë fazë. Duke qenë se secila skuadër në pjesën nevralgjike të mesfushës, në qendër të saj do të kishte nga 3 lojtarë, me rreshtimin 3-5-2, Interi do të mund të aktivizonte markimin një kundër një në këtë segment, në përpjekje për të ndalur makineri si Rodri, De Bryjne dhe Gyndoan. Jo vetëm kaq, por Interi do të kishte dy forca më shumë nga krahët , të cilët do të udhëzohen të shtyjnë lart dhe të mbajnë nën presion mbrojtësit e krahut të Sitit, ndërsa qendërsulmuesit e zikaltërve do të çorientonin dy qendërmbrojtësit dhe portierin.
“Trofeu” i Interit në këtë rast, në pikën nevralgjike të fushës është se kur z kaltrit do të mbrohen, falë presingut të lartë do të kenë shansin të fitojnë topin në një zonë të rrezikshme në fushën kundërshtare dhe për rrjedhojë të nisin një kundërsulm afër portës. E gjitha kjo në teori! Siti ka treguar se pavarësisht se sa efikas dhe problematik për të mund të jetë presingu i kundërshtarit në gjysmëfushën e kampionëve të Anglisë, “qytetarët” kanë treguar praktikisht se dinë të gjejnë një shteg për t’i shpëtuar mbulimit, duke e nxjerrë topin për te sulmuesit e tij. Nënshkrimi i Erling Halandit u dha lojtarëve të Guardiolës mundësinë për të luajtur kundër presingut jo përmes tij. “Makina” norvegjeze e golit shkëlqen në ajër dhe mund të ngacmojë edhe mbrojtësit më të ashpër. Shqetësimi për Interin do të jetë angazhimi i shumë lojtarëve në presing dhe lënia e më pak lojtarëve prapa për t’u marrë me topat e gjatë nga Ederson drejt Halandit. Ndoshta Inzagi do të bënte mirë të merrte ndonjë këshillë nga Arteta (Arsenal) për këtë. Ndoshta nga Inzagi do të ishte një ide më e zgjuar që të udhëzonte lojtarët e tij të zbresin poshtë në mbrojtje, duke përforcuar linjat dhe jo të ndërmerrte aventura, duke nxjerrë ekipin e tij në presing të lartë, që do ta linte të zbuluar në mbrojtje para sulmeve të Sitit.
SITI NUK MUND TË PËSOJË I PARI Gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve në këtë sezon rezervuan një përballje titanike me derbin e “Madoninës”. Kjo ishte hera e parë që nga viti 2005 që dyshja e Milanos përballeshin me njëri-tjetrin në fazën e eliminimeve direkte në Champions. Megjithatë, ndryshe nga çfarë pritej, fati i gjysmëfinales u vendos që të 11 minutat e para. Goli i Edin Xhekos në minutën e tetë u ndoq nga i dyti i Mikhitarianit tre minuta më pas që “vranë” gjysmëfinalen, duke çuar 3 herë fituesit e Champions-it në finalen e Stambollit.
Por nuk ishin vetëm ato 11 minuta fatale për Milanin dhe fatlume për Interin që vulosën derbin e Milanos. Fakti që golat e Interit erdhën aq shpejt, i dhanë mundësi Inzagit të ndryshonte qasjen e ekipit të tij ndaj takimit, kur nga përballja e dyfishtë mbeteshin për t’u luajtur edhe të paktën 170 minuta. Me dy gola epërsi, zikaltrit nuk kishin më nevojë të grumbullonin “trupa” përpara për të shënuar. Inzagi, në vend që të udhëzonte mbrojtësit e krahut të avanconin përpara dhe jashtë posedimit, trajneri siguroi që ekipi i tij të zgjidhte një formë kompakte mbrojtëse. Interit dhe Inzagi nuk kishin më nevojë për të rrezikuar dhe Interi nuk e bëri.
Edhe statistikat e zotërimit të topit nga Interi ranë në mënyrë drastike. Në pesëmbëdhjetë minutat e para të lojës, lojtarët e Inzagit kishin mesatarisht 56 për qind të topit. Në 15 minuta pas kësaj, ky numër ra në 29%. Në pjesën tjetër të lojës, përqindja e zotërimit të topit nga Interi nuk u ngjit asnjëherë mbi 48 për qind. Kjo vazhdoi edhe gjatë ndeshjes së dytë, pasi Interi regjistroi 42% të zotërimit topit kundër Milanit në ndeshjen ku ishte pritës. Zikaltrit u rreshtuan me 5-3-2 për të mbrojtur portën sa më gjatë.
Strategjia e zgjedhur nga Inzagi funksionoi. Milani krijoi një rrezikshmëri që matet me koeficientin “xG” prej vetëm 1.2 në total në të dyja ndeshjet, ndërsa Interi e mbajti portën të paprekur. Ndeshja e dytë ishte një “masterpiece” (paraqitje klasi) në mbrojtje nga Interi dhe një paraqitje taktike e shkëlqyer nga menaxheri 47- vjeçar. Skuadra italiane është tepër e vështirë për t’u thyer kur e ul shumë poshtë qendrën e vet. Ndaj Mançester Siti do të dëshirojë të shmangë marrjen e një goli të shpejtë në mënyrë që të mos pësojë të njëjtin fat si Milani.
SULMET NGA KRAHËT E SITIT Triumfi 4-0 i Mançester Sitit përballë Realit të Madridit në gjysmëfinalen e kthimit në Ligën e Kampioneve muajin e kaluar ishte pa diskutim një nga paraqitjet më mbresëlënëse të Sitit dhe një nga leksionet më të ashpra për Realin në kompeticionin ku spanjollët janë mbretër. Nga minuta e parë dhe deri në fund dominimi i Sitit ishte i pabesueshëm. Nëse ajo ndeshje futbolli do të kishte qenë një ndeshje boksi, me siguri që do të ishte ndërprerë që pas raundit të parë. Kampionët në fuqi (Reali) e kishte të pamundur të frenonte “tufën e uritur” të lojtarëve të Guardiolës. Një nga gabimet më të mëdha që bëri Ançeloti ishte vendosja e një tresheje në sulm me pak ose aspak detyra mbrojtëse.
Karim Benzema, Vinicius dhe Rodrigo qëndruan më lart në fushë, duke u shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës, ndërsa treshja e mesfushës dhe katër mbrojtësit u përpoqën të ndalonin valët e sulmeve të Mançester Sitit. Mbrojtja me një bllok me shtatë kundër një prej skuadrave sulmuese më të fuqishme në Europë duket si një gabim i rëndë dhe ashtu ishte në fakt. Megjithatë, struktura mbrojtëse e Interit duket do të jetë shumë më e përshtatshme për t’u marrë me trekëndëshat e gjerë të krahëve të Sitit, mesfushorëve të qendrës dhe mbrojtësve të krahut.
Duke pasur parasysh që italianët mbrojnë me 5-3-2, ata do të kenë një lojtar shtesë në mesfushë kjo do t’i jepte një epërsi në mesfushë nga 3 kundër 3 në 4 kundër 3. Edhe një nga dy qendërsulmuesit e Interit mund të zmbrapset për të mbuluar disa korsi kalimi qendrore nëse është e nevojshme. E gjitha kjo do t’i kërkonte një punë dhe një sforco të madhe gjigantëve të Serisë A për të ndalur sulmet nga krahu të Sitit. Me shumë gjasa, ajo që Interi duhet të bëjë shumë kujdes janë depërtimet e lojtarëve të mesfushës.
Gyndoan, në veçanti, është i shkëlqyeshëm në kryerjen e këtyre lëvizjeve të vogla midis mbrojtësit të krahut dhe qendërmbrojtësit për të marrë një top pas shpine dhe më pas synuar portën kundërshtare. Qofshin mbrojtësit e krahut, qendërmbrojtësit apo mesfushorët, dikush duhet t’i ndjekë vazhdimisht këto vrapime të kapitenit të Mançester Sitit, ose do të rezultojnë të jenë fatale, veçanërisht me një “grabitqar” të lindur si Erling Haland, që fshihet në zonën e penalltisë.
ÇFARË DO TË THOTË E GJITHË KJO? Dështimi i përpjekjes së radhës nga Sitit për të fituar Ligën e Kampioneve në Stamboll dhe për të arritur tripletën historike, që do t’i vinte në një piedestal me rivalët e qytetit, Mançester Junajtidin, me shumë gjasa do të ishte me pasoja katastrofike për klubin anglez. Askush nuk dyshon se Mançester Sitit është favoriti i madh për të mposhtur Interin në finalen e sotme.
Në fakt, kjo është pa dyshim finalja më e njëanshme në letër që nga triumfi i Liverpulit ndaj Milanit në 2005-ën. E si për koincidencë ajo finale u luajt po në Turqi, po në Stamboll, si ajo e sotmja. Në vitin 2005 Milani ishte favoriti i madh për fitimin e trofeut. Mjafton të shihje emrat në fushë dhe pakkush i jepte shanse Liverpulit në atë finale. Mendoni pak pas 3-0 për Milanin në pjesën e parë. Por futbolli ndaj është i bukur, ndaj është i paparashikueshëm, sepse në fund ishte Liverpuli që triumfoi. Që nga ai sukses i pabesueshëm kanë kaluar 18 vjet dhe përsëri në të njëjtin qytet një skuadër nga Milano, këtë herë Interi përballet me një tjetër skuadër angleze, këtë herë Siti.
Por me rolet e ndryshuar. Me Sitin që është dukshëm favorit. Jo vetëm për skuadrën që Pep ka në dispozicion, por dhe për rrugëtimin që “qytetarët” kanë pasur, duke kaluar disa nga peshat më të rënda në futbollin europian, Bajerni dhe Reali i Madridit, që të marrë së bashku kanë fituar 20 herë këtë trofe. Por Simone Inzagi dhe lojtarët e tij mund të mësojnë disa gjëra nga ajo finale e 18 viteve më parë. Pa marrë parasysh cilësinë e tyre, vetëm 11 lojtarë të Sitit mund të zbresin në fushë nga minuta e parë. Dhe ndeshja nuk përfundon derisa gjyqtari të vendosë ta mbyllë. E përderisa ka 90 minuta plus për t’u luajtur edhe Interi mund të shpresojë.