TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij gjatë eventit për programin ‘Dyfisho ndërmarrjen tënde”.
Kryeministri u shpreh se ky projekt do t’i japë mundësi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen, dhe për ta zhvilluar më shumë këtë projekt janë angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë.
“Dua ta nis nga sinergjia e krijuar për të arritur në formësimin e këtij produkti të ri për sipërmarrjet. Ka qenë themelore që ne, nga ana jonë, të kishim bashkëpunimin dhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë dhe pastaj edhe të bankave të nivelit të dytë, që na kanë garantuar se do të bëjnë pjesën e tyre ashtu siç duhet për suksesin e këtij programi.
E vërteta është që bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshëm, ndërsa të tjerët luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar. Gjë që nuk më ka bërë xheloz, por më kërkues ndaj bankave. E vërteta është që nuk dalin me humbje nga ky program, por as me ndonjë fitim të madh. Këtu do të kenë një fitim modest, por fitimi afatgjatë do të jetë i konsiderueshëm, sepse ajo që synojmë është që t’u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen.
Është shumë e rëndësishme që kjo frymë bashkëpunimi që kemi pasur deri tani… Dua të falënderoj guvernatorin dhe, duke e falënderuar, dua të them që do kisha shumë dëshirë ta falënderoja prapë pas gjashtë muajsh. Suksesi i këtij projekti varet edhe nga presingu i guvernatorit që do t’u bëjë bankave të nivelit të dytë.
Duke qenë se bankat kanë një manual të tërë justifikimesh që i përdorin me efikasitet të lartë dhe një nga këto është se planet e bizneseve të vogla dhe të mesme nuk janë mjaftueshmërisht të arritura, ne kemi angazhuar një forcë tjetër në këtë proces, që është UNDP, Zyra e Kombeve të Bashkuara këtu në Tiranë, ku do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë. Do të jemi një grup i gatshëm për të asistuar bizneset që kanë ide interesante dhe një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës.
Ky grup do të jetë në dispozicion të bizneseve dhe Ministria e Ekonomisë do të luajë rolin e vet për koordinimin mes subjekteve.
Po ashtu, ne kemi vënë në dispozicion një ëebsite online, në të cilin ka edhe një mundësi për t’u drejtuar drejtpërdrejt ministrisë nga biznesi dhe ka edhe një chatbox për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi programin.
Një tjetër element është se është planifikuar edhe një cikël takimesh në territor për të nxitur bizneset që të përfshihen në këtë program.
Ministria e Financave ka qenë kyçe. Të gjithë bëjnë detyrën, por problemi është kush e bën më mirë dhe kush më keq.
Na thonë: “Pse po bëni sikur çfarë po bëni, se me lekët tona po i bëni?” Po ka qeveri që me lekët tona bëjnë punë të mira, ka qeveri që nuk bëjnë asnjë punë, ose bëjnë punë të këqija.
Dua t’i falënderoj edhe ministrat, edhe guvernatorin për këtë projekt”, u shpreh Kryeministri Rama.