AKTUALITET, 17 July 2026, 11:18

Operacioni/ Në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, 2 të arrestuar në Durrës! Priten të ekstradohen drejt Italisë dhe Spanjës

Dy persona në kërkim ndërkombëtar për trafik droge janë arrestuar në Durrës.

 Të arrestuarit janë identifikuar si E.Avduli dhe S.Kasa.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, me partnerët ndërkombëtarë në Itali dhe në Spanjë, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, për disa vepra penale, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të Policisë Shijak dhe Kavajë, finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin, shtetasit:

-Enkelet Avduli, 46 vjeç, i cili u kap teksa lëvizte me automjet, në aksin rrugor “Rrogozhinë–Peqin”, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës, Itali, e ka dënuar me 7 vjet, 5 muaj dhe 9 ditë burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kanosje;

-S. K., 38 vjeç, i cili u kap në fshatin Sukth i Ri, pasi autoritetet gjyqësore në Madrid i kanë caktuar masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale", me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.