AKTUALITET, 10 November 2026, 11:54

Siguria rajonale, Demo: Krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme nuk njohin kufij. Shqipëria duhet të jetë e sigurt, është një nga portat hyrëse të Evropës

Siguria rajonale, Demo: Krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme nuk njohin

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo ka marrë pjesë në hapjen e konferencës ndërkombëtare “Siguria rajonale: Rreziqe të reja, bashkëpunim më i fortë”, e zhvilluar në Tiranë, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe europian për përballimin e sfidave të sigurisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo theksoi rëndësinë strategjike të Shqipërisë në sigurinë europiane, duke nënvizuar se vendi ynë nuk duhet të shihet si periferia e Europës, por si një nga portat e saj hyrëse.

Gjatë konferencës, Demo vuri në dukje se krimi i organizuar, trafiku i paligjshëm, kërcënimet kibernetike dhe sfidat që vijnë nga zhvillimi i teknologjive të reja nuk njohin kufij.

Sipas tij, përballimi i këtyre rreziqeve kërkon institucione më të forta, shkëmbim më të shpejtë informacioni dhe veprime të përbashkëta mes vendeve partnere.

“Shqipëria nuk është oborri i pasmë i Europës. Është një nga portat e saj hyrëse. Dhe kjo portë duhet të jetë e sigurt!
Sot në Tiranë, në hapjen e konferencës ndërkombëtare “Siguria rajonale: Rreziqe të reja, bashkëpunim më i fortë”, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të RCC-së, Amer Kapetanović, dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme të Italisë, Ambasadës Italiane dhe Delegacionit të Bashkimit Europian.
 
Krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, kërcënimet kibernetike dhe sfidat e teknologjive të reja nuk njohin kufij. Përballimi i tyre kërkon institucione më të forta, shkëmbim më të shpejtë informacioni dhe veprime të përbashkëta.
 
Shqipëria po forcon bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe europianë, me një qëllim të qartë: më shumë siguri për qytetarët, më shumë qetësi për familjet dhe më shumë besim për të ardhmen. Siguria e Shqipërisë është e pandashme nga siguria e Europës”, shkruan ministri Demo.

Siguria rajonale, Demo: Krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme nuk njohin