AKTUALITET, 13 October 2026, 11:25

Shtyhet gjyqi/ GJKKO gjobit me nga 100 mijë lekë mbrojtësit e Veliajt! Paralajmërimi i Gjykatës: Do të thërrasim avokatët e Ministrisë së Drejtësisë

Shtyhet gjyqi/ GJKKO gjobit me nga 100 mijë lekë mbrojtësit e

Bojkoti i avokatëve kundër rregullores së GJKKO-së që ndalon celularët në sallat e gjykimit ka sjellë dështimin e radhës të seancës gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë. Gjykata e Posaçme vendosi të gjobisë me nga 100 mijë lekë të rinj avokatët që nuk u paraqitën në seancë, ndërsa Veliajt iu pezulluan sërish afatet e paraburgimit.

Me një qëndrim absurd, GJKKO thotë se në senacën e radhës më 27 tetor, do të thërrasë avokatë nga shërbimi i ndihmës juridike falas pranë Ministrisë së Drejtësisë, për të përfaqësuar të pandehurit. Por në fakt, ligji e parashikon që ndihma jurdike jepet vetëm për vetëm për kategori të caktuara.

Prej 7 shtatorit, avokatët kanë bojkotuar proceset në Gjykatën e Posaçme, duke kundërshtuar rregulloren e re që ndalon mbajtjen dhe përdorimin e celularëve në sallat e gjykimit.

Keshtu, seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për datën 27 tetor, për shkak të mungesës së avokatëve.
SPAK, me kërkesën e ngritur nga Altin Dumani, kërkoi që gjyqi i Veliajt të bëhet pa avokatë për sa kohë ata nuk paraqiten.

Gjykata caktoi avokatë nga lista e avokatëve të ndihmësve juridikë falas. Nuk ishte prezent asnjë i pandehur dhe asnjë avokat.

Altin Dumani ka deklaruar gjatë seancës, ku vijon bojkoti i të gjithë mbrojtësve ndaj GJKKO-së: “Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat.”

Në kohën kur gjykata po gjobiste avokatët që kundërshtonin Rregulloren, e cila u ndalon të gjithëve përdorimin e telefonit në sallë, i ra telefoni njërit prej prokurorëve të çështjes, Ols Dado. Ai e nxori nga xhepi dhe e mbylli menjëherë.