AKTUALITET, 13 October 2026, 11:12

Reforma territoriale/ PS kërkon komision të Posaçëm për kompetencat e bashkive! Opozita braktis Konferencën e kryetarëve: Po fshini 15 bashki

Reforma territoriale/ PS kërkon komision të Posaçëm

Opozita, e cila kundërshtoi shkrirjen e 15 bashkive, ka bojkotuar sot mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku u diskutua propozimi i PS-së për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për fazën e dytë të reformës territoriale.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi mazhorancën se humbi mundësinë për një reformë konsensuale, pasi sipas saj, synimi nuk ishte përmirësimi i qeverisjes vendore, por krijimi i një harte elektorale.

“Të jemi seriozë për rolin tonë si deputetë. Nuk besoj se ka vlerë të diskutojmë për të bërë një punë që e kishim për detyrë ta bënim, por që nuk u bë. Tani po ngrihet një komision tjetër, pasi komisioni i parë shërbeu vetëm për të vizatuar hartën. Kjo kërkesë është kopje e asaj që parashikohej në objektin e vendimit të Kuvendit të tetorit të vitit të kaluar. Atëherë ju votuat kundër, ndërsa tani e sillni sërish për votim dhe jeni pro. Kjo nuk është serioze.

Për çfarë arsyeje duhet të marrë pjesë opozita në këtë proces? Ky është një proces që kërkon besim. Komisioni duhej të prodhonte një rezultat të përbashkët, të mbështetur nga të dyja forcat politike. Në korrik të këtij viti, ne kërkuam që këtij komisioni, me këto objektiva, t’i shtyhej afati i veprimtarisë. Ju nuk pranuat. Kërkuam që komisionit t’i jepeshin edhe tre muaj kohë, pikërisht për të përmbushur këto detyra, por ju e refuzuat. Tani propozoni të njëjtën përmbajtje dhe të njëjtat objektiva.

Procesi kërkonte që produkti i miratuar javën e kaluar të ishte konsensual, në mënyrë që të vazhdohej me një paketë ligjore që do të synonte shëndoshjen e financave publike, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, rritjen e kapaciteteve dhe përfitimin nga fondet e kohezionit. Reforma që kemi bërë, zoti kryetar, është e njëjtë me atë të vitit 2015. Ajo prek vetëm një nivel të qeverisjes.

E keni kthyer Kuvendin në tallje. Kërkesat që keni refuzuar 3 muaj më parë i sillni këtu copy-paste dhe kërkoni t’i votoni”, tha Tabaku në mbledhje.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Fazën e Dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.

 
Nisma synon të vijojë reformën përtej riorganizimit të hartës territoriale, duke u përqendruar te funksionet e bashkive dhe shërbimet vendore, financat dhe zhvillimi rajonal. Pas përfundimit të punës së komisionit të fazës së parë dhe miratimit të ndarjes së re territoriale, objektivi është ndërtimi i një modeli më funksional dhe të qëndrueshëm të qeverisjes vendore.

Faza e dytë parashikon rishikimin e kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore, forcimin e kompetencave të bashkive dhe përcaktimin e standardeve minimale të shërbimeve publike. Një tjetër prioritet është reformimi i financave vendore, përmes forcimit të decentralizimit fiskal dhe hartimit të një formule të re të transfertës së pakushtëzuar, bazuar në të dhënat e Censit 2023. Në fokus do të jetë edhe krijimi i një niveli rajonal funksional, në përputhje me politikat e kohezionit dhe kërkesat që lidhen me fondet e Bashkimit Europian.

Sipas kërkesës, ndryshimet ligjore duhet të përgatiten në kohë për të mundësuar funksionimin e bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Komisioni i propozuar do të ketë 16 anëtarë, të përfaqësuar sipas grupeve parlamentare dhe një mandat nëntëmujor, me mundësi zgjatjeje të afatit me vendim të Kuvendit. Ai do të shqyrtojë ndryshimet e nevojshme në ligjet për vetëqeverisjen vendore, financat vendore dhe zhvillimin rajonal, si dhe do të ndjekë zbatimin e masave kalimtare për ngritjen e bashkive të reja.

Një element i rëndësishëm i punës do të jetë konsultimi me bashkitë, shoqatat e tyre, institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Pranë komisionit parashikohet ngritja e një grupi ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe funksionimi i një sekretariati teknik për mbështetjen e veprimtarisë.

Nisma synon gjithashtu të sigurojë përputhshmërinë e reformës me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, duke synuar konsensus ndërmjet forcave politike për një qeverisje vendore më efikase dhe më të financuar. Kujtojmë se Partia Demokratike ka thënë se nuk do të bëhet pjesë e këtij Komisioni, pasi sipas tyre, kërkesat e opozitës në Komisionin e mëparshëm nuk u morën parasysh nga mazhoranca.

 Autonomisë Vendore, duke synuar konsensus ndërmjet forcave politike për një qeverisje vendore më efikase dhe më të financuar. Kujtojmë se Partia Demokratike ka thënë se nuk do të bëhet pjesë e këtij Komisioni, pasi sipas tyre, kërkesat e opozitës në Komisionin e mëparshëm nuk u morën parasysh nga mazhoranca.

Reforma territoriale/ PS kërkon komision të Posaçëm