AKTUALITET, 13 October 2026, 09:50

Detaje të reja/ Operacioni i SPAK dhe i policisë, kush janë 4 të arrestuarit, një në kërkim

Detaje të reja/ Operacioni i SPAK dhe i policisë, kush janë 4

SPAK dhe policia zhvilluan një operacion kundër një grupi të dyshuar kriminal që merrej me trafikimin e qenieve njerëzore dhe transportimin e emigrantëve të paligjshëm.

Mësohet se janë arrestuar katër persona, të identifikuar si J.Kuvarati, E.Hajdari, A.Bregasi dhe L.Berlat. Ndërkohë, një person i pestë është shpallur në kërkim nga autoritetet.

Sipas të dhënave paraprake, personat e arrestuar dyshohet se janë pjesë e një grupi që organizonte trafikimin e emigrantëve të paligjshëm, të njohur ndryshe si klandestinë.

Operacioni është zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndërsa hetimet synojnë dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Më herët u raportua se në kuadër të këtij operacioni ishin lëshuar pesë urdhër-arreste, mes tyre edhe për efektivë policie. Megjithatë, ende nuk ka të dhëna të plota zyrtare mbi rolin e secilit prej të dyshuarve, si dhe nëse mes personave të arrestuar ka punonjës të Policisë së Shtetit.

Pritet që SPAK dhe Policia të japin detaje të mëtejshme për mënyrën e funksionimit të grupit, itineraret e përdorura për transportimin e emigrantëve dhe akuzat konkrete ndaj personave të përfshirë.