AKTUALITET, 5 October 2026, 15:58

Shqiptarët besojnë më shumë tek informacioni në internet, EUROSTAT: Vetëm 14% bëjnë verifikime për atë që lexojnë

Shqiptarët besojnë më shumë tek informacioni në

Në një kohë kur informacioni rrjedh shumë shpejt dhe qytetarët e marrin atë përmes ekranit të telefonit, krahasuar me vendet e tjera të Evropës, shqiptarët renditen si më besues ndaj asaj që lexojnë, pa bërë kontrolle për vërtetësinë.

Sipas EUROSTAT vetëm 14.34% e individëve të moshës 16–74 vjeç në Shqipëri tentuan të verifikojnë informacionin apo përmbajtjen që gjetën online, duke përdorur burime të tjera. 

Të dhënat për Shqipërinë janë shumë më ulët se mesatarja e Bashkimit Europian që është 29.16%.

Në rajon, Shqipëria lë pas vetëm Greqinë, me 9.78%, dhe Serbinë, me 11.13%, ndërsa më skeptikët në Ballkanin Perëndimor janë qytetarët nga Maqedonia e Veriut, 24.22% e tyre e verifikojnë informacionin, me të cilin bien në kontakt.

Ndërsa në Evropë në krye të listës si më mosbesues renditen irlandezët me 63.64%, ndjekur nga holandezët me 53.06%.

Raporti thekson gjithashtu se 66% e europianëve thonë se janë përballur herë pas here me dezinformim.

Teksa rrjetet sociale dhe platformat online janë kthyer në burime informacioni, verifikimi bëhet një mjet i domosdoshëm, pasi rreziku i përballjes me përbajtje të rreme është gjithnjë e më i madh. 

Në këto kushte rritet gjithashtu nevoja për forcimin e edukimit mediatik dhe digjital.