TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një grup nismëtarësh i PD-së ka depozituar ditën e sotme në KQZ kërkesën për zhvillimin e një referendumi vendor, përmes të cilit qytetarët e Tiranës do të pyeten drejtpërdrejt nëse janë dakord me ndërtimin e kullës në Parkun Rinia.
Kërkesa është depozituar nga drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, anëtari i Kryesisë në PD, Dorjan Teliti dhe sekretari për Aksionin Qytetar, Erges Eskiu, të cilët kërkojnë nga KQZ nisjen e procedurave dhe pajisjen me formularët për mbledhjen e firmave të nevojshme.
Në dokumentin e dorëzuar, nismëtarët argumentojnë se ndërtimi i një godine të lartë në këtë zonë mund të ndikojë në trafikun, cilësinë e ajrit dhe hapësirat e gjelbra të kryeqytetit.
Pas depozitimit, përfaqësuesit e komitetit nismëtar deklaruan para mediave, duke kërkuar që vendimi për Parkun Rinia të mos merret vetëm nga institucionet, por të kalojë përmes votës së qytetarëve.
Malltezi e cilësoi Parkun Rinia si një nga hapësirat e fundit të gjelbra të mbetura në kryeqytet dhe tha se qytetarët duhet të pyeten nëse duan një tjetër kullë apo ruajtjen e parkut.
“Ka ardhur momenti që qytetarët të pyeten. Të pyeten a duan një kullë për qytetin e tyre apo duan një park më tepër. Për fat të keq Edi Rama mund të kishte mundësi të bënte me dhjetëra parqe, ka zgjedhur t'i vjedhi paratë në inceneratorë që nuk ekzistojnë, ka zgjedhur t'i vjedhi paratë për kajo që nuk ekziston dhe të mos bëjë asnjë park. Thjesht gradaçela për xhepin e tij. Ka ardhur koha të pyeten qytetarët”, deklaroi Malltezi.
Ndërsa Dorjan Teliti tha se qytetarët duhet të kenë fjalën për përdorimin e hapësirave publike.
“Qytetarët e Tiranës kanë 12 vite që nuk pyeten. Nuk pyeten për asgjë. Thjesht ata përdoren, përdoren për interesat e ngushta klienteliste dhe korruptive të qeveritarëve të cilët kanë uzurpuar karriget si në bashki ashtu dhe në qeveri. Ndaj ajo që kërkojmë neve është shumë e thjeshtë, është shumë e qartë, dhe është tërësisht ligjore dhe mbi të gjitha është e moralshme. Të shkojmë te qytetarët, t'i pyesim ata”, tha Teliti, duke kërkuar që çështja të vendoset përmes referendumit.
“Ndaj qytetarët e Tiranës duhet të thirren në këtë referendum. Dhe ne sot, siç e shpjegoi dhe zoti Malltezi, kemi depozituar kërkesën zyrtare për marrjen e dokumentacionit. Për të marrë dhe për të mbledhur firmat për organizimin një orë e më parë të një referendumi lokal të Tiranës, së bashkisë së madhe të Tiranës, për t'i pyetur qytetarët, banorët, rezidentët e këtij qyteti, të zonave rurale dhe urbane, pasi parku i përket të gjithëve ne”.
Nga ana tjetër, Erges Eskiu u ndal te çmimet e apartamenteve në kullat e reja dhe problemet urbane të kryeqytetit. Ai tha se qytetarët kanë nevojë për më shumë infrastrukturë, transport, ujë të pijshëm, kanalizime, ajër të pastër dhe hapësira të gjelbra.
Nisma tashmë kalon në fazën e procedurave pranë KQZ-së, ndërsa nismëtarët synojnë mbledhjen e firmave për të çuar përpara kërkesën për referendum vendor.
Në materialet e publikuara, për mbrojtjen e privatësisë së firmëtarëve janë mbuluar të dhënat sensitive, përfshirë numrat personalë të identifikimit dhe numrat e telefonit.