AKTUALITET, 12 Nëntor 2017, 09:36

Shqipëria, me taksat më të larta dhe buxhetin më të “varfër” të rajonit

Pavarësisht rritjes së ndjeshme dy vitet e fundit, Shqipëria vijon të ketë rendimentin fiskal më të ulët në rajon, ndonëse ka barrën më të lartë të taksave.

Zëri ku çalon dukshëm është ai i të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, një tregues se pikërisht aty është evazioni më i lartë në vend

Këtë vit, Shqipëria pritet të arrijë rekord në të ardhurat që ajo mbledh nga bizneset dhe individët përmes taksave që ata paguajnë në buxhet. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), të ardhurat do të arrijnë në 28.2%, niveli më i lartë që nga viti 1993, sipas tabelave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Në 2018-n, ky tregues pritet të ulet lehtë në 28.1% të PBB-së dhe pritet të mbetet në këto nivele deri në 2020-n. Për vitin 2018, bizneset dhe individët pritet të paguajnë në total rreth 3.3 miliardë euro taksa.

1.5 mld euro taksa konsumi

Përmes akcizës dhe TVSH-së që janë të dyja taksa mbi konsumin dhe që bizneset ia ngarkojnë konsumatorit final përmes çmimit, buxheti siguron gati 45% të të ardhurave. Kjo do të thotë se nga produktet që do të blejnë, ose shërbimet që do të marrin, qytetarët do të paguajnë indirekt për shtetin rreth 1.5 miliardë euro

Monitor