TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në grup me Kampionët e Botës!
Shqipëria do të përballet me Francën për eliminatoret e Kampionatit Europian 2020, teksa do të luftojë fort me Islandën dhe Turqinë, për ta mbyllur aventurën e saj në vendin e dytë. E kompletojnë grupin H, Moldavia dhe Andorra.
REAGIMET E PARA TË KUQEZINJVE
Reagimet e para janë optimiste në kampin kuqezi.
Trajneri Kristian Panuçi është i qartë.
“Mund të shkonte më mirë por dhe më keq. E pranojmë dhe do të punojmë që të bëjmë të pamundurën. Franca është favoritja e madhe, por dhe Turqia dhe Islanda janë ekipe mjaft të mira dhe do të garojnë për vendin e dytë”, deklaroi tekniku italian nga Dublini, atje edhe ku u hodh shorti.
Presidenti Armand Duka është më i matur.
“Duhet të bëjmë mirë në fushë. Për aq sa varet nga shorti, gotën e shoh gjysmë plot, e shoh pozitiv. Imagjino sikur të ishte grupi me Gjermaninë dhe Holandën, do ishte masakrues. Duke menduar këtë, e shoh pozitiv”, tha numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Edhe kapiteni i Kuqezinjve, Mërgim Mavraj, përpiqet të jetë me “këmbët në tokë”.
“Për mundësi dhe shanse është e vështirë të flasim tani. Kemi pasur ndeshje të mira me Francën dhe Turqinë. Me këtë grup, e dimë që Islanda ka ecur shumë përpara, është e fortë. Islandën dhe Turqinë i kemi kundërshtarë kryesorë. Nëse ia dalim në këto ndeshje, kemi shumë mundësi”, tha mbrojtësi veteran.
Armando Sadiku, sulmuesi më prodhimtar në grupin aktual të kuqezinjve komenton: “Është një grup i fortë, do luhet midis Islandës dhe Turqisë, me këto dy ekipe do luajmë kualifikimin tonë. Megjithatë, e shoh si një grup të fortë. Të dyja janë të forta, si Islanda dhe Turqia. Për Francën, nuk po flas fare”.
Shqipëria është ndeshur në të kaluarën e saj të afërt dhe të largët me të pestë kundërshtarët e saj në eliminatoret e Euro 2020.
Me Francën, kampione në fuqi e Botës (2018) jemi përballur shtatë herë (pesë zyrtare dhe dy miqësore). Bilanci: 1 fitore (1-0, në miqësoren në “Elbasan Arena”), 1 barazim (1-1, në Rëne, Francë) dhe 5 humbje. Ndeshja e fundit është humbja 2-0 në Marsejë (15.06.2016), në finalet e Euro 2016.
Ndaj Islandës, Kuqezinjtë kanë këtë bilanc në pesë ndeshjet e luajtura midis dy ekipeve (katër zyrtare dhe një miqësore): dy fitore dhe tri humbje. Takimi i fundit është luajtur, më 10 shtator 2013: humbje 2-1 në Reikavik, për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2014.
Me Turqinë jemi përballur jo pak herë: 10 ballafaqime, 6 zyrtare dhe 4 miqësore. Bilanci është në ekuilibër të plotë: 4 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje. Takimin e fundit e ka fituar Shqipëria, në miqësoren e luajtur në Antalia, më 13 nëntor 2017, me Kristian Panuçin në stol: 3-2.
Me Moldavinë jemi ndeshur tri herë: dy zyrtare dhe një miqësore. Bilanci: 2 fitore dhe 1 barazim. Ndeshja e fundit daton, më 15 gusht 2012: barazim 0-0 në “Qemal Stafa”.
Me Andorrën modeste jemi ndeshur tri herë: dy miqësore dhe një në turneun ndërkombëtar të Maltës (2000). Bilanci është dy fitore dhe një humbje.
A do t’ia dalë Shqipëria te jetë edhe një herë tjetër pjesë e finaleve të një Kampionati Europian, ashtu siç ia doli në Euro 2016 me Xhani De Biazin në bankinë?
KALENDARI I NDESHJEVE
Pasi ka përfunduar shorti për ndarjen në grupe të 55 skuadrave përfaqësuese, ku Shqipëria u vendos në grupin H sëbashku me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën, u zhvillua takimi ndërmjet federatave përkatëse për të përcaktuar kalendarin e ndeshjeve. Shqipëria do ta fillojë garën kualifikuese më 22 Mars 2019 kundër Turqisë në shtëpi dhe do ta përfundoj në 17 Nëntor 2019 me Francën në shtëpi
Grupi H:
Ndeshja e parë, 22 Mars 2019: Shqipëri-Turqi
Ndeshja e dytë, 25 Mars 2019: Andorra-Shqipëri
Ndeshja e tretë, 8 Qershor 2019: Islandë-Shqipëri
Ndeshja e katërt, 11 Qershor 2019: Shqipëri-Moldavi
Ndeshja e pestë, 7 Shtator 2019: Francë-Shqipëri
Ndeshja e gjashtë, 10 Shtator 2019: Shqipëri-Islandë
Ndeshja e shtatë, 11 Tetor 2019: Turqi-Shqipëri
Ndeshja e tetë, 14 Tetor 201: Moldavi-Shqipëri
Ndeshja e nëntë, 14 Nëntor 2019: Shqipëri-Andorra
Ndeshja e dhjetë, 19 Nëntor 2019: Shqipëri-Francë
/TPZ.AL/
