AKTUALITET, 11 August 2026, 13:52

Shifrat/ Shqipëria drejt tkurrjes, INSTAT: Vetëm 218 lindje më shumë se vdekjet në tremujorin e dytë

Demografia e vendit vijon të japë sinjale alarmi. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt një ngadalësimi të theksuar të rritjes së popullsisë.

Gjatë muajve prill, maj dhe qershor, në të gjithë territorin e vendit u regjistruan 5,083 lindje, duke shënuar një rënie prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, numri i vdekjeve ka pësuar një ulje prej 3.7%, duke u regjistruar në kuotën e 4,865 humbjeve të jetës.

Megjithatë, diferenca mes tyre, e njohur si shtesa natyrore, ka zbritur në vetëm 218 persona.

Kjo do të thotë se, pa llogaritur faktorin e emigracionit, popullsia e Shqipërisë është shtuar natyrshëm me më pak se 220 banorë gjatë këtij tremujori, një shifër kjo historikisht e ulët për dinamikën demografike të vendit.

Por problemi nuk qëndron vetëm te shifra kombëtare, por sidomos te shpërndarja gjeografike.

Shtesë natyrore pozitive u regjistrua në vetëm 5 qarqe të vendit, ku mbizotëron Tirana më pas renditetn Durrësi, Kukësi, Dibra dhe Lezha.

Ndërsa 7 qarqe të tjera Korçë, Fier, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër, shënuan bilanc negativ, ku numri i vdekjeve ka kapërcyer ndjeshëm atë të lindjeve, duke reflektuar një popullsi në plakje të theksuar dhe ritme të ulëta lindshmërie.

Sipas të dhënave të INSTAT qarku me shtesën natyrore më të lartë mbetet Tirana me 1.033 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça me 265 vdekje më shumë sesa lindje.

Ekspertët e çështjeve sociale dhe demografike e shohin këtë tendencë si një kambanë alarmi për të ardhmen e tregut të punës, sistemeve të pensioneve dhe strukturës moshore të shoqërisë shqiptare, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe politika më efektive mbështetëse për familjet e reja.

SHTESA NATYRORE E POPULLSISE

Lindjet 5,083 bebe

Vdekjet 4,865 persona

Shtesa natyrore 218 Persona