TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Avioni i dytë ‘Air Tractor’ i është bashkuar Forcave të Armatosura, flotë ajrore që i vjen në ndihmë Emergjencave Civile në luftën kundër zjarreve, sidomos atyre vatrave aktive që kërcënojnë zonat e banuara. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, për Vizion Plus nga Halili i Krujës, zonë e cila prej ditësh po përballet me zjarret e fuqishme, i cili tha se këto vatra do të izolohet sidomos pas ndërhyrjes së pandërprerë nga ajri.
“Lajmi i mirë është që kemi dhe një avion, i cili është avion trajnues ‘Air Tractor’ që ka ardhur në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe po operon duke patur pilotë që po trajnohen në vendin tonë. Një avion i dytë do t’i bashkohet së shpejti, do ta shikoni në operim këto ditë. Ai është këtu për të vazhduar trajnimin e pilotëve tanë që do të vazhdojnë në total 3 avionë të Forcave të Armatosura që do të jenë në dispozicion të Emergjencave Civile për të përballuar çdo lloj situate”, tha ministri.
Ministri Nufi tha se situata ka qënë kritike sidomos në disa zona si Kruja, Mallakastra, Shkodër etj ku gjithashtu është bërë e mundur një angazhim maksimal i forcave zjarrfikëse dhe ato ushtarake për të shuar flakët. Krahas avionëve ‘Air Tractor’, në ndihmë janë edhe helikopterët e Forcave të Armatosura.
“Janë mbi 180 forca vetëm nga Forcat e Armatosura (në Krujë) dhe në të gjithë territorin e Republikës janë mbi 700 efektivë të forcave zjarrfikësve dhe të FA që operojnë në të gjithë territorin e Republikës dhe në të gjitha vatrat siç kanë qënë sot në Shkodër, Kavajë, në Priskë në Tiranë, në Mallakastër ku përfundimisht janë dominuar zjarret dhe janë shuar.
Niveli i mjeteve të angazhuara kanë qënë 32 mjete. Kanë qënë mbi 4 helikopterë që kanë qënë gjatë ditës në operacione. Vetëm këtu në Halil dhe në Bojë të Krujës kemi patur 3 helikopterë që kanë qënë të angazhuar në shuarjen e zjarreve”, tha Nufi.
Shqetësim për ministrin e Mbrojtjes janë vatrat e reja të zjarreve. Pavarësisht se në Krujë zjarri i përmasave të mëdha u fik pa probleme për qytetin, në disa zona po shfaqet vatra të reja që nuk kanë lidhje me ato të para 3 ditëve.
“Forcat e Armatosura kanë bërë ndërhyrjen e tyre së bashku me efektivët e zjarrfikëseve të qytetit të Krujës dhe të Bashkive përreth, të koordinuara nga Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile duke bërë një punë fantastike në përmbajtjen e zjarreve. Ka patur edhe momente të vështira për shkak të bizneseve dhe shtëpive që ndodheshin të rrethuara nga këto flakë. Duhet të themi që kjo vatër zjarri nuk ka lidhje me zjarrin që ka qënë përpara tre ditësh në Krujë”, tha ministri.
E angazhuar në betejat kundër flakëve ka qënë dhe policia e shtetit, e cila menjëherë ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rasteve. Të gjitha zjarret rezultojnë nga dora e njëriut, por burime nga policia bëjnë me dije se shqetësuese janë zjarret e qëllimshme, të cilat duket se kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm.