BALLKAN, 25 Tetor 2017, 13:38

SHBA, mbështetje të gjithanshme për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë mbështetjen e gjithanshme për Kosovën, deklaroi të mërkurën në Prishtinë zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike, Hoyt Brian Yee . Gjatë takimit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, zyrtari i lartë amerikan Yee theksoi se perspektiva evropiane për Kosovën, si dhe për gjithë rajonin janë prioritete të SHBA-së. Presidenti Thaçi dhe zëvendësndihmës Sekretari Yee biseduan për marrëdhëniet bilaterale, rolin e SHBA-së në rajon, perspektivën euroatlantike të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. Thaçi theksoi se vazhdimi i mbështetjes së SHBA-së për Kosovën dhe rajonin, mbetet çelës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm. “Jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në të gjithë sektorët e jetës në Kosovë”, u shpreh Thaçi. Presidenti e njohu zyrtarin e lartë amerikan për sukseset më të fundit të Kosovës, zgjedhjet komunale dhe betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti jo shumicë. “Zgjedhjet komunale janë një dëshmi tjetër e pjekurisë politike të Kosovës, ndërsa dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap i madh drejt forcimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të integritetit shtetëror të Kosovës”, tha Thaçi. Duke folur për prioritetet e Kosovës, presidenti Thaçi u shpreh se “përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave, përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe transformimi i FSK-së mbesin prioritete konkrete, pa lënë anash prioritetet e përhershme që janë ekonomia dhe forcimi i sundimit të ligjit”.

Në takim u bisedua edhe për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, ku u vlerësua se Kosova është lider në rajon në luftën kundër terrorizmit.