AKTUALITET, 12 August 2026, 12:06

'Serbia', Rama: Laboratori ekselent për matjen e saktësisë së qëndrimeve të mija, ushtria e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës! 

Kryeministri Edi Rama, pas deklaratës së bërë një ditë më parë në lidhje me diskutimet e fundit për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, ka reaguar sërish sot duke thënë se “trollat e turbofolkut nacionalist të Prishtinës” kanë shpërthyer në kritika ndaj tij pasi tha se “Serbia e humbi Kosovën”.

Rama shkruan sot se sa herë “që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal”.

Sipas tij, që Serbia e humbi Kosovën është fakt, teksa me ironi shkruan se “sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit”.

Edi Rama në X: 

Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës! 

Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal!

Edhe dje laboratori ka funksionuar perfekt, me trollat që u lëshuan për të më rikonfirmuar si tradhëtar pse thashë Serbia e humbi Kosovën, përgjatë ndërhyrjes sime në debatin dinjitoz të ditëve të fundit mes autoriteteve tona dhe atyre të Serbisë, për paprekshmërinë e lumit Ibër!

Pra qëndrimi im ka qenë preciz përderisa në krejt atë ndërhyrje shteruese - që u përshëndet edhe nga vetë deputetja britanike Alicia Kerns, një flamurtare e flaktë e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar - baza e turbofolkut nacionalist në Prishtinë gjeti të kapet pas një fjalie të vetme për të mos lejuar që ai qëndrim i qartë kundër provokimit të Serbisë të “hutonte” fansat e turbofolkut!

Që  Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt, sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit!