AKTUALITET, 17 July 2026, 14:56

Sejko: Financime deri në 200 milionë lekë në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm

Qeveria shqiptare ka nisur zbatimin e programit kombëtar “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, një skemë financimi e dedikuar për bizneset e vogla dhe të mesme, me synim rritjen e investimeve, punësimit dhe zhvillimit ekonomik.

Në prezantimin e programit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se institucioni që ai drejton ka punuar prej kohësh për hartimin e kësaj skeme financimi. Sejko theksoi se programi ofron kushte më të favorshme financimi për sipërmarrjet, duke zgjatur afatin e kredive deri në 10 vite dhe duke mundësuar financime deri në 200 milionë lekë.

“Kemi kohë që punojmë për këtë program. Vlera fillestare e tij është 200 milionë euro, por nëse do të shohim sukses në financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, kjo shumë mund të rritet. Këto biznese janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, kanë potencial të madh për punësim dhe zhvillim, ndërsa sistemi bankar ka likuiditet dhe kapacitete të mjaftueshme për t’i financuar”, tha Sejko.

Sejko bëri thirrje që bizneset të përfitojnë nga ky program pasi avantazhet kryesore janë norma e ulët e interesit si dhe garancia sovrane që ofron qeveria. “Programi ka dy avantazhe kryesore. Së pari, norma e interesit do të jetë nga 2 % deri në 3 %, në varësi të garancisë. Së dyti, 70 për qind e kredisë mbulohet nga garancia sovrane e qeverisë. I bëj thirrje bankave ta mbështesin këtë nismë dhe bizneseve të aplikojnë për të përfituar nga kjo mundësi”, tha Sejko.

Sipas Bankës së Shqipërisë, programi synon të lehtësojë aksesin në financim për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat konsiderohen një nga motorët kryesorë të ekonomisë dhe punësimit në vend.