BOTA, 10 October 2026, 22:04

Rusia heq pjesërisht ndalimin e eksportit të naftës pas marrëveshjes Putin-Trump, miliona tonë karburant drejt tregjeve ndërkombëtare

Rusia heq pjesërisht ndalimin e eksportit të naftës pas

Rusia ka njoftuar heqjen e pjesshme të ndalimit për eksportin e naftës dizel, pas marrëveshjes së arritur mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, për furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me karburant.

Zëvendëskryeministri rus, Aleksandër Novak, deklaroi se nivelet aktuale të prodhimit janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën e brendshme, si dhe për të mundësuar eksportimin e sasive të parashikuara drejt tregjeve ndërkombëtare.

“Vëllimet e prodhimit janë të mjaftueshme për të përmbushur plotësisht kërkesën e brendshme dhe për të realizuar eksportet drejt tregut ndërkombëtar në sasitë e parashikuara”, thuhet në deklaratën e Novakut.

Ndërkohë, Kirill Dmitriev, përfaqësues i Rusisë, vlerësoi bashkëpunimin mes Moskës dhe Uashingtonit në sektorin e energjisë, veçanërisht në fushën e naftës dizel.

“Bashkëpunimi Rusi-SHBA në fushën e naftës dizel dhe energjisë do t’i sjellë përfitime botës”, shkroi ai në platformën X.

Trump njofton furnizimin me miliona tonë naftë dizel ruse

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se kishte arritur një marrëveshje me Vladimir Putinin për furnizimin e menjëhershëm dhe gradual të tregut amerikan dhe atij ndërkombëtar me miliona tonë naftë dizel ruse.

Sipas shifrave të bëra publike nga Trump, Rusia ka rënë dakord të furnizojë fillimisht tregjet me më shumë se 300 mijë tonë naftë dizel. Ndërkohë, 500 mijë tonë të tjerë parashikohet të dorëzohen gjatë muajit nëntor.

Më pas, sipas presidentit amerikan, pritet të dërgohet një sasi shtesë prej një milion tonësh, megjithëse nuk është përcaktuar një afat i saktë për dorëzimin e saj.

Trump pretendoi gjithashtu se Rusia është zotuar të furnizojë edhe tre milionë tonë të tjerë brenda një periudhe të shkurtër, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse.

Nëse realizohen të gjitha sasitë e përmendura nga presidenti amerikan, furnizimet do të kalojnë gjithsej 4.8 milionë tonë naftë dizel.

Trump e lidhi marrëveshjen me përpjekjet për uljen e kostos së energjisë, duke vënë në dukje ndikimin që çmimet e larta të naftës dizel kanë te bujqësia dhe transporti.

Trump premton ulje të çmimeve të karburanteve

Presidenti amerikan pretendoi se marrëveshja për energjinë ruse, së bashku me atë që ai e përshkroi si kontroll të plotë amerikan mbi Ngushticën e Hormuzit, do të sjellë ulje të shpejtë të çmimeve të naftës dizel në Shtetet e Bashkuara dhe në tregjet botërore.

“Falë kontrollit tonë të PLOTË mbi Ngushticën e Hormuzit dhe këtij njoftimi të rëndësishëm për energjinë ruse, çmimet e naftës dizel për amerikanët dhe, në fakt, për të gjithë botën, do të ULET NË NIVELE REKORD DHE SHPEJT!”, shkroi Trump.

Ai theksoi se ulja e çmimeve të karburanteve është një nga përparësitë e administratës së tij, veçanërisht për fermerët, blegtorët dhe drejtuesit e kamionëve, aktivitetet e të cilëve varen drejtpërdrejt nga kostoja e karburantit.

Trump përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij kundër pajisjes së Iranit me armë bërthamore.

“Për më tepër, duhet të kuptohet se Irani nuk do të ketë armë bërthamore!”, deklaroi presidenti amerikan.

Çmimi i naftës dizel në SHBA është rritur ndjeshëm

Njoftimi për marrëveshjen me Rusinë vjen në një periudhë presioni të fortë mbi tregun amerikan të karburanteve.

Sipas Reuters, çmimi i naftës dizel në Shtetet e Bashkuara është rritur me rreth 70% që nga fillimi i luftës me Iranin, duke arritur në 6,28 dollarë për galon.

Administrata amerikane po kërkon mënyra për të ulur kostot e energjisë, ndërsa afrohen zgjedhjet e mesmandatit, të planifikuara për më 3 nëntor.

Marrëveshja me Moskën shënon një zhvillim të rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik mes dy vendeve, në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet të frenojë rritjen e çmimeve të karburanteve.