BOTA, 10 October 2026, 20:16

Shpërthim i fuqishëm në Ngushticën e Hormuzit, Irani pretendon se supertankeri goditi një minë detare

Shpërthim i fuqishëm në Ngushticën e Hormuzit, Irani

Një supertanker që transportonte naftë bruto dyshohet se ka goditur një minë detare në Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm. Lajmi është bërë i ditur nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), në një deklaratë të transmetuar nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim.

Sipas deklaratës së palës iraniane, anija po përpiqej të largohej nga Ngushtica e Hormuzit përmes një rruge që autoritetet e Teheranit e konsiderojnë të paautorizuar.

Garda Revolucionare pretendon se tankeri kishte çaktivizuar sistemet e navigimit dhe të pozicionimit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga kjo rrugë detare strategjike.

Në deklaratën e saj, pala iraniane paralajmëroi për pasoja ndaj anijeve që, sipas saj, shkelin rregullat e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

“Një zjarr i tmerrshëm është rezultati përfundimtar për çdo tanker që shkel rregullat dhe përpiqet të injorojë sigurinë dhe rregulloret e Ngushticës së Hormuzit”, thuhet në deklaratën e Gardës Revolucionare.

Autoritetet iraniane ia atribuojnë shpërthimin goditjes së anijes në një minë detare. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë i ditur emri i supertankerit, flamuri nën të cilin lundron apo numri i anëtarëve të ekuipazhit.

Po ashtu, nuk ka informacione të konfirmuara për persona të lënduar apo viktima, ndërsa mbetet e paqartë edhe shkalla e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës, ndaj çdo incident në këtë zonë mund të ndikojë në sigurinë e lundrimit dhe furnizimin global me energji.