TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Irani ka shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të konfliktit përtej Lindjes së Mesme, duke përfshirë edhe sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë, në rast se presidenti amerikan Donald Trump urdhëron një përshkallëzim të ri.
Sipas burimeve pranë regjimit iranian, të cituara nga Financial Times, forcat iraniane kanë vlerësuar skenarë për goditjen e aseteve ushtarake amerikane në Evropën Jugore dhe Juglindore, përfshirë Bullgarinë dhe Qipron.
Në rastin e Bullgarisë, vëmendja lidhet me bazën ajrore Bezmer, përdorimin e së cilës për avionë amerikanë të furnizimit me karburant Sofja e ka miratuar muajin e kaluar.
Qiproja është gjithashtu përmendur si një objektiv i mundshëm hakmarrjeje. Në mars, një bazë britanike në Akrotiri u godit nga një dron. Në atë kohë, zyrtarë perëndimorë dyshuan se bëhej fjalë për një dron iranian të përdorur nga forca të lidhura me Teheranin, dhe jo për një sulm të drejtpërdrejtë të kryer nga Irani.
Sipas burimeve të Financial Times, në Teheran po rritet bindja se një tjetër përplasje ushtarake është më shumë çështje kohe sesa mundësie.
Negociatat për rihapjen e ngushticës së Hormuzit kanë ngecur, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se nuk ka bisedime apo kontakte të planifikuara me Teheranin.
Forcat e Gardës Revolucionare Islamike dhe komandantë të tjerë iranianë kanë paralajmëruar se, në rast të një lufte të re në shkallë të gjerë, Teherani mund të braktisë strategjinë e mëparshme, e cila ishte përqendruar kryesisht te objektivat amerikane dhe infrastruktura energjetike në Lindjen e Mesme.
Një burim i cituar nga Financial Times paralajmëroi se nëse SHBA-ja “e tepron”, Irani mund ta zgjerojë përgjigjen përtej rajonit dhe të godasë edhe objektiva në Evropë.