TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shefi i kompanisë gjermane të mbrojtjes Donaustahl, Stefan Thumann, ka deklaruar se prej muajsh po jeton i fshehur dhe nën mbrojtje të vazhdueshme, pasi autoritetet gjermane e kanë paralajmëruar për një komplot të dyshuar vrasjeje të lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës.
Thumann, kompania e të cilit furnizon Ukrainën me drone zbulimi dhe dronë sulmues, tha në një intervistë për televizionin RTL dhe revistën Stern se autoritetet gjermane morën informacion për kërcënimin në fund të vitit 2025.
“Po ndryshoj vazhdimisht vendndodhjen time, kam mbrojtje të afërt 24 orë në ditë, jeta ime private ka pushuar së ekzistuari. Po luftoj për jetën time kundër shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse”, tha Thumann.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, autoritetet dyshojnë se një operacion për vëzhgimin e tij ishte pjesë e përgatitjeve për një atentat. Hetuesit kanë zbuluar se dy persona e kanë monitoruar Thumannin dhe kanë mbledhur informacione për të, banesën e tij dhe selinë e kompanisë.
Dy të arrestuarit dyshohet se e spiunuan
Në mars të këtij viti, autoritetet gjermane arrestuan dy të dyshuar, një shtetas ukrainas, Sergey N., dhe shtetasen rumune Alla S. Njëri u arrestua në Spanjë, ndërsa tjetra në landin gjerman të Renanisë Veriore-Vestfalisë.
Sipas hetimeve, të dy dyshohet se kanë vepruar si agjentë për një shërbim të huaj inteligjence. Ata dyshohet se kanë ndjekur Thumannin gjatë periudhës dhjetor 2025 – mars 2026, kanë fotografuar dhe filmuar banesën e tij dhe selinë e kompanisë, si dhe kanë mbledhur informacione për të në internet.
Raportimet gjermane sugjerojnë se të dy nuk konsiderohen agjentë profesionistë, por persona të rekrutuar përmes internetit për të kryer detyra konkrete. Sipas hetuesve, ata mund të kenë shërbyer si “agjentë të një përdorimi”, pa pasur domosdoshmërisht dijeni për të gjithë objektivin e operacionit.
Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se ishte tentuar të mblidheshin informacione edhe për babain e Thumannit, me qëllim që të përcaktohej vendndodhja e drejtuesit të Donaustahl.
Kompania furnizon Ukrainën me dronë
Donaustahl është një kompani gjermane e industrisë së mbrojtjes që zhvillon dhe furnizon Ukrainën me drone zbulimi dhe mjete ajrore pa pilot për përdorim ushtarak. Pikërisht lidhja e kompanisë me mbështetjen ushtarake të Ukrainës dyshohet se e ka vendosur Thumannin në shënjestër të operacionit të dyshuar.
Pas marrjes së informacionit nga një shërbim inteligjence i një vendi partner në fund të vitit 2025, autoritetet gjermane nisën masat e sigurisë ndaj Thumannit. Ai aktualisht ndodhet nën mbrojtje të shtuar personale.
Rasti shihet nga autoritetet gjermane në kuadër të shqetësimeve më të gjera për aktivitetet e dyshuara të inteligjencës ruse kundër industrisë evropiane të mbrojtjes.
Në vitin 2025, NATO konfirmoi gjithashtu se Rusia kishte planifikuar një atentat ndaj Armin Papperger, drejtuesit të kompanisë gjermane të mbrojtjes Rheinmetall, e cila është një prej furnizuesve kryesorë të Ukrainës.
Ndërkohë, autoritetet gjermane vazhdojnë hetimet për rastin e Thumannit, ndërsa ai thotë se jeta e tij ka ndryshuar tërësisht për shkak të kërcënimit të dyshuar.
“Po luftoj për jetën time kundër shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse”, deklaroi drejtuesi i Donaustahl.