AKTUALITET, 2 Prill 2019, 22:42

Rekordi i Henri, tre muaj katastrofë në krye të Monako për të fituar më shumë se Guardiola

Në numrin e fundit të “France Football” është publikuar një klasifikim për trajnerët më të paguar në botë. Surpriza e madhe në këtë klasifikim është se menjëherë pas Diego Simeones dhe Mourinjos, përpara Guardiolës dhe Valverdes, pozicionohet Tierri Henri, i cili paguhej 25.5 milionë euro.

Një surprizë, sepse po flasim për një trajner emergjence, për të cilin stoli i Monakos ishte përvoja e parë si trajner i parë, pas përvojës si ndihmëstrajner i Roberto Martinez te kombëtarja e Belgjikës.

Shifra e pagesës së trajnerit francez është impresionuse. Por gjithçka u mbyll pas tre muajsh, pas rezultateve katastrofike të skuadrës franceze me Henri në krye. Në 20 ndeshje të luajtura në 3 muaj, Monako arriti vetëm 5 fitore, 4 barazime dhe 11 humbje.

Trajneri Henri e la skuadrën po aty ku e mori, në vend të parafundit në kampionat, në vend të fundit në grupet e Championsit, si dhe jashtë Kupës së Francës, e eliminuar nga Metz i Ligue 2. Henri është paguar 1 milion e 275 mijë euro për çdo ndeshje që ka drejtuar Monakon.