AKTUALITET, 10 November 2026, 15:22

Buxheti/ “Në 10 vite reformë nuk kemi ndërtuar asnjë gjykatë”, kreu i KLGJ-së kërkon troje dhe 199 punonjës, Xhafaj kritika për Illyrian Guard: Shtet brenda shtetit

Buxheti/ “Në 10 vite reformë nuk kemi ndërtuar asnjë

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kërkuar fonde për ndërtimin e godinave të reja të gjykatave, ndërsa mungesa e trojeve vijon të mbetet një nga pengesat kryesore për realizimin e investimeve.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kreu i KLGJ-së, Ilir Rusi deklaroi se nga 20 gjykata në vend, vetëm 5 e ushtrojnë funksionin në godina të dedikuara për gjykata.

Sipas tij, KLGJ u ka kërkuar bashkive të Kukësit, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Tiranës vënien në dispozicion të trojeve për ndërtimin e gjykatave, por kërkesat nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Ndërkohë, Bashkia e Beratit ka miratuar kalimin e një trualli në pronësi të KLGJ-së, për të cilin janë parashikuar 9 milionë lekë për projektin e zbatimit të godinës së re.

Një tjetër problematikë e ngritur gjatë raportimit ishte siguria në gjykata dhe rritja e kostos së shërbimit të ofruar nga Illyrian Guard. KLGJ ka kërkuar gjithashtu fonde për pajisje sigurie, ndërsa kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, ngriti shqetësimin për efektivitetin dhe eficiencën e kësaj shoqërie.

Kreu i KLGJ-së kërkoi gjithashtu shtimin e 199 punonjësve për vitin 2027, për të plotësuar vendet vakante me ndihmës ligjorë, sekretarë gjyqësorë dhe punonjës sigurie. Ai theksoi se zbatimi i sistemit të ri teknologjik Euronix do të kërkojë personel shtesë dhe investime në pajisje elektronike.

Por kryetari i komisionit, Fatmir Xhafa, ngriti shqetësimin se mungesa e infrastrukturës pengon edhe emërimin e punonjësve të rinj në gjykata. Sipas tij, zgjidhja e problemit të godinave, veçanërisht për gjykatat e Tiranës dhe Gjykatën e Apelit Administrativ, është thelbësore, pasi aktualisht nuk ka ambiente ku të vendosen punonjësit e rinj.

Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, relatorja Evis Kushi bëri të ditur se financimi për KLGJ-në dhe sistemin gjyqësor parashikohet në 6.67 miliardë lekë, me një ulje prej 74.22 milionë lekësh krahasuar me vitin 2026.

Pjesë nga diskutimi në komision:

Ilir Rusi – Pjesën më të madhe të zërave e zënë kërkesat tona për ndërtimin e godinave. Që nga viti 2017 nuk kemi një godinë që të ketë përfunduar, e destinuar si gjykatë. Në 2017 është bërë përurimi i godinës së Gjykatës së Elbasanit, në 2016 është ish-Gjykata e Apelit që ne sot e përdorim për Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në 2012 ka përfunduar ish-Gjykata e Apelit Korçë dhe Gjykata e Shkallës së Parë, dhe dy godinat e mëparshme që kanë qenë ish-Gjykata e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Apelit Gjirokastër.

Dua të them se sot sistemi ka 20 gjykata, vetëm 5 e ushtrojnë funksionin e tyre në godina të dedikuara si gjykata, që janë dy Gjykatat e Posaçme, Shkalla e Parë dhe ajo e Apelit, Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Ndërsa të gjitha godinat e tjera janë godina që janë përshtatur për gjykata. Në 10 vite reformë në drejtësi, ne nuk kemi një godinë që në momentin e parë të jetë dedikuar për gjykatë. Prandaj ne kemi pasur kërkesa buxhetore për të bërë ndërtime. Kemi bërë edhe kërkesa për shpronësime trualli, si bashkive të Kukësit, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Tiranës, të cilat nuk na janë përgjigjur me vënien në dispozicion të truallit.

Por edhe në këtë kuadër ka një aspekt pozitiv. Në korrik të këtij viti, me vendim të Këshillit Bashkiak të Beratit, u vendos që një truall që ishte në pronësinë e saj do t’i kalojë Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe ne kemi parashikuar një vlerë prej 9 milionë lekësh që të bëhet projekti i zbatimit dhe këtë vit që vjen dhe vitin tjetër të kërkojmë buxhetim për ndërtimin e godinës së re për Gjykatën e Shkallës së Parë Berat.

Edhe për Bashkinë e Tiranës kemi referuar për shumë kohë kërkesa që të na vërë në dispozicion troje për të ndërtuar Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe atë të Apelit të Përgjithshëm. Kemi mundësinë që aty ku është Gjykata e Shkallës së Parë të bëhet një shtesë dhe rikonstruksion godine, por për shkak ende të veprimeve të ministrisë përgjegjëse për shpronësimin e truallit, nuk na u vu në dispozicion ky truall për të ndërtuar këtë godinë dhe një fond prej 200 milionë lekësh që ne rikërkojmë përsëri është pikërisht i dedikuar për këtë gjykatë.

Kërkojmë 110 milionë lekë të reja për mallra dhe shërbime. Janë dyfishuar shërbimet e postës, ka ndryshuar vlera e shërbimit të shoqërisë së sigurisë Illyrian Guard.

Janë dedikuar për t’u marrë me qira objekte nga ana e Gjykatës së Apelit Administrativ, Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, për sa kohë mjediset e tyre kufizohen.

Kemi edhe fondin për sigurinë e gjykatave. Është një fond prej 215 milionë lekësh të reja që ka qenë i dedikuar për blerje pajisjesh për zyra dhe sigurinë në gjykata. Pavarësisht se nuk kemi mjediset e duhura, të paktën të blejmë mjete për të rritur sigurinë në gjykata.

Do të ndalesha te numri i punonjësve. Është fakt që 100 punonjës që ju na i miratuat, i detajuam për punonjës sigurie, për sekretarë gjyqësorë dhe për ndihmës ligjorë. Për vitin e ardhshëm ne kemi kërkuar 199 punonjës. Është domosdoshmëri se kemi vakanca.

Evis Kushi – Projektbuxheti i vitit 2027 për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe sistemin gjyqësor, 6.67 miliardë lekë. Krahasuar me buxhetin e vitit 2026, financimi ulet me 74,22 milionë lekë, pa zgjerim të organikës që mbetet njësoj me 1192 pozicione.

Fatmir Xhafa – Ka shumë çështje këtu që s’dimë nga t’i kapësh, me thënë të drejtën.

Ka disa defekte që KLGJ duhet t’i shohë vetë, nga stafi juaj administrativ. Të kërkosh lekë dhe të mos realizosh buxhete vit pas viti nuk është…

Zonja Çausholli, si do t’i zgjidhin këta rritjen e tarifave të shërbimit, është çështje tjetër efektiviteti, eficienca e Illyrian Guard, është një histori më vete. Por minimalisht duhet paguar ose do ta mbyllim. Shtet brenda shtetit janë, i kërkojnë, buxheti nga buxheti shkon sigurisht.

Tarifat postare, ose të themi që për gjykatat nuk ka tarifa postare. Por janë dyfishuar dhe do të japë efekt në buxhet. Pastaj hidhemi te qiratë dhe trojet për 3 gjykata, duhet ta pyes pak kryetarin. Ne pranojmë një gjë. Nyja gordiane janë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë dhe sidomos Gjykata e Apelit Administrativ, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Nëse zgjidhen këto nga pikëpamja infrastrukturore, zgjidhet çështja e emërimit të njerëzve, se sot s’kanë ku ulen ata dhe t’i çosh. Sepse kështu… Ky është një debat i madh, por ky është fakt. Problemi pastaj është studimi dhe projektimi. Këto nuk janë të parashikuara te 84 milionë e 900 milionë lekë për projektimin dhe zbatimin e pesë gjykatave të reja? Nuk janë të parashikuara? Kjo pastaj është shumë problematike, duhet t’ia paraqes qeverisë vetë këtë shqetësim.