AKTUALITET, 3 Dhjetor 2018, 10:37

Pas "Astirit", protestë edhe në Shkozë kundër prishjes së banesave: Hienat na kanë rrethuar, po na grabisin!

Pas "Astirit", protestë edhe në Shkozë kundër

Pas paralajmërimit për shembjen e banesave në zonën e Astirit, IKMT ka nisur një aksion për shembjen e banesave edhe në Shkozë.

Edhe pse nuk kanë marrë asnjë dokument zyrtar që i lajmëron për prishjen e banesave, fadromat janë afruar pranë shtëpive dhe kërcënojnë se do t'i shembin. Nga ana tjetër, banorët janë grumbulluar pranë banesave që kërcënohen nga shembja dhe po protestojnë. Ata janeë shprehur se nuk do të lejojnë shembjen e shtëpive dhe se legalizimet kanë qenë selektive.

“Na vjen një letër dhe na përjashton nga procesi i legalizimit, asgjë nuk na është ofruar. Vijnë hienat dhe punojnë në mes të shtëpive, ndërkohë që krisen dhe banesat e tjera.

Në Holandë të sjellin njoftimin 90 ditë më përpara dhe të pyesin se ku do të banosh, këtu nuk do t’ia dijë njeri, ne nuk kemi qenë kundër projekteve po jo të na grabisin ditën për diell. Në vitin 2018 po na çojnë drejt vetëgjyqësisë, dhe ne akoma kemi frikë të dalim apo jo të protestojmë për të drejtat tona. Të vijë një ekspert dhe të na sqarojë se pse dy banesa më tutje kanë marrë legalizimin dhe ne jo, trualli ka qenë i njëjtë i Bashkisë. Këta janë kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi”, shprehet një prej banorëve për Fax News.

‘’Fëmijët më janë stresuar, pa asnjë dokument vijnë këtu dhe na thonë që të largohemi nga shtëpitë tona. Ku të shkojmë ne?!”, shprehet një tjetër prej banorëve.

Banorët shprehen se autoritetet refuzojnë t'ju dërgojnë letra zyrtare, në mënyrë që ata të mos kenë mundësi të ankimojnë vendimin në gjykatë.

Pranë banorëve janë gjendur deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kanë ofruar mbështetje.

/TPZ.AL/