AKTUALITET, 13 Qershor 2020, 11:08

Përplasje mes policisë dhe disa personave në Velipojë, IKMT shemb 24 objekte pa leje

Përplasje mes policisë dhe disa personave në Velipojë, IKMT


Shemben mes tensioneve dhe përplasjeve 24 objekte pa leje ne vijën bregdetare në Velipojë. Procedohen 6 persona, për kundërshtim të forcave të rendit.

“IKMT, mbështetur nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, përmbylli aksionin për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare të plazhit të Velipojës.

Një grup personash tentuan të bllokonin aksionin. Shërbimet e Policisë u kërkuan të mos pengonin punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë së Shtetit në kryerjen e detyrës, por ata kundërshtuan forcërisht lirimin e hapësirës ku do të operohej.

Policia e Shtetit u bëri thirrje disa herë që të largoheshin nga vendi që operohej, por ata vazhduan të kundërshtonin me forcë shërbimet e Policisë.

Në këto kushte shërbimet e FNSH-së, të Forcës së Posaçme Shqiponja dhe ato të Postës së Policisë Velipojë larguan forcërisht të gjithë personat dhe IKMT-ja vazhdoi punën, duke shembur 24 objekte të paligjshme gjatë gjithë vijës bregdetare të Velipojës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Strukturat e Policisë Shkodër kryen veprimet procedurale dhe materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të gjashtë shtetasve, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.