AKTUALITET, 11 September 2026, 12:59

Përplasja për pagat/ Gjykata Administrative pranon kërkesat për sigurimin e padisë, të zhbllokohen pagat për GJKKO e Gjykatën e Durrësit

Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke urdhëruar zhbllokimin e fondeve për pagat.

Të njëjtën kërkesë e ka bërë edhe Gjykata e Lartë. Edhe gjykatat e tjera në gjithë vendin po ndjekin të njëjtën rrugë ligjore, duke paraqitur padi dhe kërkesa të veçanta për sigurimin e tyre.

Kërkesat për sigurimin e padisë synojnë zgjidhjen e përkohshme të situatës, në mënyrë që punonjësit e gjykatave të marrin pagat, ndërsa çështja vijon të shqyrtohet në themel në Gjykatën Administrative.

Pranimi i sigurimit të padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e mbyll konfliktin në themel. Masa synon të shmangë pasojat e menjëhershme të bllokimit të fondeve dhe të garantojë vijimin e pagesave deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për çështjen.

Vendimi është i ekzekutueshëm menjëherë dhe, në rast mosekzekutimi, parashikon përgjegjësi për shërbimin përmbarimor gjyqësor shtetëror ose privat.

Kundër vendimit lejohet ankim i veçantë në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 5 ditëve nga njoftimi.

Në këtë mënyrë, të paktën për momentin, ngërçi financiar që preku gjykatat mund të kapërcehet përmes masave të përkohshme të marra nga gjykata.