AKTUALITET, 11 September 2026, 10:11

Rama liron nga detyra ministrin e Brendshëm, Lamallari! Ja kush emërohet në vend të tij

Kryeministri Edi Rama ka liruar nga detyra ditën e sotme ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari.

Pas dorëheqjes së Lamallarit, në krye të Ministrisë së Brendshme është emëruar Ervin Demo, i cili deri më sot mbante postin e ministrit të Shteti për Pushtetin Vendor!

Dorëheqja e Lamallarit vjen pak kohë pas dorëheqjes së ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, post në të cilin u emërua Klodiana Spahiu.

Lamallari kishte marrë më herët drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë në shtator të vitit 2025, ndërsa në karrierën e tij në administratën publike ka mbajtur edhe postin e zëvendësministrit të Brendshëm, që prej tetorit të vitit 2017.

Ai ka një eksperiencë të gjatë në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar. Që prej vitit 2020, Lamallari ka përfaqësuar Shqipërinë si negociator përgjegjës për Kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.

Gjatë karrierës së tij në administratë, ai është angazhuar edhe në menaxhimin e situatave të emergjencave. Në nëntor 2019 shërbeu si delegat i qeverisë dhe i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile për menaxhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues në Durrës. Në prill 2020 u angazhua gjithashtu në menaxhimin e situatës së krijuar nga epidemia e COVID-19 në rajonin e Shkodrës.

Karriera/ Kush është ministri i ri i Brendshëm? Ervin Demo, nga pedagog dhe kryebashkiak i Beratit, në kabinetin “Rama”

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar disa ndryshime në qeveri ku nga kjo e premte në krye të Ministrisë së Brendshme do të vendoset Ervin Demo.

Demo prej shtatorit të vitit 2025 mbante postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, detyrë që tani do e kryejë baskë me atë të Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë me ndryshimet e kësaj të premte kjo ministri gjithashtu do të bashkohet me Ministrinë e Brendshme duke sjellë që nuk do të ketë një zëvëndësues për postin që mbante Demo. Përpara se të merrte postin e ministrit, Demo drejtoi Bashkinë e Beratit nga 2019 deri në 2025.

Në vitet 2017-2018 ka mbajtur postin e Zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2016 ka qenë Zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës.

Që prej vitit 2004, Demo është pedagog me kohë të plotë në Departamentin e Menaxhimit në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.

Ai ka kryer studimet universitare në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfunduar ciklin Bachelor dhe Master. Më pas ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës në Itali, ku është specializuar në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit akademik.