AKTUALITET, 12 August 2026, 22:28

“Nuk na përfaqësoni!” – Mbyllet protesta e 74-të kundër qeverisë, qytetarët shprehen të vendosur deri në largimin e kryeministrit Rama: Jep dorëheqjen!

Pas përfundimit të marshimit përgjatë akseve kryesore të kryeqytetit, protestuesit janë rikthyer sërish përpara godinës së Kryeministrisë, duke përmbyllur kështu ditën e 74-të radhazi të protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.

Me rikthimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, turma e mbledhur e ka kulmuar protestën e sotme me thirrje drejtuar selisë së ekzekutivit.

Përpara godinës së Kryeministrisë janë dëgjuar thirrjet “Rama jep dorëheqjen!”, “Ju erdhi fundi!”, “Nuk na përfaqësoni!” dhe “Shqipëria kërkon revolucion!”, ndërsa protestuesit kanë shprehur vendosmërinë për të vijuar qëndresën dhe për të mos hequr dorë nga kërkesat e tyre.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë bërë të ditur se aksioni rrugor dhe protesta do të vijojnë edhe gjatë ditës së nesërme, e cila pritet të shënojë protestën e 75-të radhazi përpara Kryeministrisë.

Pas thirrjeve të fundit dhe paralajmërimit për vijimin e protestës ditën e nesërme, protestuesit janë shpërndarë qetësisht nga bulevardi.