AKTUALITET, 12 August 2026, 22:00

Zjarri në rrethinat e Tiranës, situata jashtë kontrollit! Flakët i afrohen banesave dhe bazës së helikopterëve në Farkë

Situatë alarmante raportohet në zonën e Gurrës, mes fshatit Daias dhe Priskës së Madhe, në rrethinat e Tiranës, ku një kodër është përfshirë nga flakë të mëdha.

Zjarri po përhapet në një sipërfaqe të konsiderueshme, ndërsa në pjesën e poshtme të kodrës ndodhen banesa dhe biznese, duke rritur rrezikun për zonën e banuar.

Flakët janë afruar pranë Lundrës dhe po i afrohen banesave, si dhe bazës së helikopterëve në Farkë, ndërsa zjarri vijon të jetë jashtë kontrollit.

Ndërhyrja nga toka po vështirësohet ndjeshëm për shkak të terrenit të thyer. Relievi e bën të pamundur afrimin e automjeteve zjarrfikëse në zonën ku zjarri vijon të përhapet.

Flakët, të favorizuara nga era, janë përhapur me shpejtësi, ndërsa një re e dendur tymi ka mbuluar zonën.

Situata mbetet dinamike, ndërsa strukturat e emergjencës vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur afrimin e tyre drejt banesave dhe objekteve të tjera.