AKTUALITET, 12 August 2026, 20:53

“Beach bar” pa leje në Karaburun/ Nis shembja e objektit, në pranga njëri prej ndërtuesve, ortaku i tij në kërkim (Video)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, së bashku me Kryeinspektorin e IKMT-së, Afrim Qendro, morën pjesë pasditen e kësaj të mërkure në operacionin për prishjen e një ndërtimi pa leje, të tipit “beach bar”, në zonën e Karaburunit.

Sipas njoftimit të autoriteteve, objekti prej druri po ndërtohej nga personat e identifikuar me inicialet O. Sh. dhe S. D., të cilët ishin proceduar penalisht edhe më parë dhe kishin tejkaluar afatin kohor të përcaktuar për prishjen vullnetare të objektit.

Gjatë operacionit u vu në pranga njëri prej ndërtuesve, S. D. Ndërkohë, ortaku i tij, O. Sh., u shpall në kërkim. Autoritetet vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë një prononcimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro, përcollën një mesazh për të gjithë qytetarët që të mos ndërmarrin iniciativa për të kryer ndërtime pa leje, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Ndërkohë, nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë vijojnë veprimet hetimore për nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë përgjegjës, të cilët kanë lejuar apo kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin.