AKTUALITET, 29 October 2026, 12:58

Ndryshimet/ Tarifat e telefonisë celulare nuk do të rriten më automatikisht, nga viti 2027! AKEP miraton rregullat e reja

Ndryshimet/ Tarifat e telefonisë celulare nuk do të rriten më

Ndryshojnë rregullat për përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar këtë të enjte një rregullore të re që parashikon vlefshmëri 12-mujore të kartave SIM, afat minimal prej 180 ditësh për kredinë monetare dhe ndalimin e disa klauzolave që lejojnë rritjen automatike të tarifave mujore.

Sipas vendimit të Bordit të AKEP, përdoruesit do të kenë mundësi të rimbushin telefonin edhe me vlera të ulëta, ndërsa kur kalojnë numrin te një operator tjetër, do të kenë të drejtë të kërkojnë rimbursimin e kreditit monetar të papërdorur.

Rregullorja parashikon gjithashtu më shumë transparencë për tarifat dhe ruajtjen e numrit celular për të paktën 12 muaj pas çaktivizimit.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me tarifat mujore. Duke nisur nga 1 janari 2027, operatorët nuk do të lejohen të përfshijnë në kontrata klauzola që parashikojnë rritje automatike të tarifave në përqindje ose sipas indekseve të ndryshueshme, përfshirë Indeksin e Çmimeve të Konsumit, në rastet kur vlera konkrete e tarifës së ardhshme nuk është përcaktuar në momentin e nënshkrimit të kontratës.

Masat e reja do të hyjnë në zbatim sipas afateve të përcaktuara në rregullore, duke nisur nga 1 janari 2027.