AKTUALITET, 29 October 2026, 12:22

Sarandë/ 2800 euro për person për të shkuar në Itali! 35 vjeçarit i gjenden 21 emigrantë në furgon, arrestohet nga policia

Sarandë/  2800 euro për person për të shkuar në Itali!

Një 35-vjeçar banues në Itali është arrestuar gjatë natës në Sarandë, pasi u kap duke transportuar me furgon 21 emigrantë nga Iraku dhe Irani, të cilët dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit me Greqinë.

35-vjeçari me inicialet A. Z. u ndalua nga Policia Kufitare në afërsi të fshatit Shkallë, gjatë operacionit të koduar “Tranzit 2”.

Sipas hetimeve, destinacioni final i emigrantëve dyshohet se ishte Italia, ndërsa pagesa për transportin ishte 2800 euro për secilin prej tyre.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve shtetërorë, organizuan dhe finalizuan një tjetër operacion policor, të koduar “Tranzit 2”. 

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Z., 35 vjeç, banues në Itali.  

Ky shtetas u kap gjatë natës, në afërsi të fshatit Shkallë, duke transportuar me një automjet furgon, 21 shtetas me origjinë nga Iraku dhe Irani, të cilët dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë.  

 Nga hetimet dyshohet se destinacioni final i emigrantëve ishte Italia dhe se pagesa për transportimin ishte 2 800 euro për secilin shtetas.

Në vijim të veprimeve procedurale, 21 shtetasit e huaj u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.