TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kuvendi është “blinduar” nga forca policore. Kjo është panorama pak para Parlamentit në pritje të nisjes së seancës plenare.
Shihet se është vendosur gardhi metalik i Policisë së Shtetit pranë qendrës tregtare në zonë, ndërsa në terren raportohet për shtim të efektivëve dhe prani të autobotëve me ujë, në pritje të mbërritjes së protestuesve.
Seanca e sotme nis në orën 10:00 dhe është e para pas përplasjeve fizike të javës së kaluar në sallën e Kuvendit. Në rendin e ditës janë parashikuar 12 projektligje, një akt normativ, tri projektvendime dhe një interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.
Në sfondin e kësaj seance janë edhe masat disiplinore ndaj gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike, të përjashtuar për 60 ditë nga punimet parlamentare pas incidenteve të fundit. Ndërkohë, prania e shtuar e policisë dhe vendosja e gardhit metalik në zonën pranë Kuvendit tregojnë se autoritetet kanë marrë masa për të menaxhuar protestën e paralajmëruar.
Ky grumbullim i forcave të Policisë vjen mes klimës së protestave të dhunshme që kanë ‘paralizuar’ gjatë këtyre ditëve kryeqytetin (ditët e fundit intensiteti i tyre ka rënë).
