TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia ka zbardhur detaje të reja nga hetimi për dhunimin e 26-vjeçarit Eduart Kuçi, ngjarje për të cilën janë arrestuar këngëtari Jozefin Marku dhe një tjetër person, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, 30-vjeçari Jozefin Marku është gjetur i fshehur në tualetin e banesës së shtetasit Kristjan Nikolli, 31 vjeç, i cili gjithashtu është arrestuar në kuadër të hetimit.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Anton Huli, 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç.
Në kuadër të hetimeve, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë kryer një sërë veprimesh për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Jozefin Marku akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Ndërkohë, Kristjan Nikolli, i dyshuar se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, akuzohet edhe për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, krahas veprave të tjera penale.
Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni. Gjithashtu, është sekuestruar edhe automjeti tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Sipas hetimeve, Marku dhe personat e tjerë të përfshirë dyshohet se kanë dhunuar Eduart Kuçin, me pretendimin se 26-vjeçari kishte fyer një prej tyre.
Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.